Kryhet për herë të parë fluturimi i linjës së drejtpërdrejt nga Doha për në Shkup. Linja e re nga Katari për në kryeqytetin e Maqedonisë do të jetë në shërbim 4 ditë në javë me avionin “Erbas A320”.
Ky i fundit ka 12 vende në klasin biznes dhe 132 në klasin ekonomik.
Pasagjerët nga Doha, të cilët zbritën dje në aeroportin “Aleksandri i Madh”, u pritën me ushqim tradicional maqedonas. Me avionin e ri nga Doha arritën edhe drejtori komercial i “Qatar Airways”, Ehab Abdel Fattah Amin dhe Ambasadorja e Maqedonisë në Katar, Vukica Kërtolica-Popovska.
Ata u pritën nga drejtori i përgjithshëm i “TAV Maqedoni”, Alper Ersoy, i shoqëruar nga ministri i Transportit dhe Lidhjeve të Maqedonisë, Goran Sugareski dhe ambasadori i Katarit në Maqedoni, Hassan Bin Abdullah Zaid Al Mahmoud, të cilët pas pritjes bashkarisht prenë tortën në nder të hapjes së destinacionit të ri.
Sot do të mbajnë një konferencë të përbashkët drejtori i përgjithshëm i “TAV Maqedoni” dhe drejtori komercial i “Qatar Airways”, ku do të promovojnë linjën e re ajrore nga Doha për në Shkup, si dhe përparësitë e dy kryeqyteteve pas lidhjes mes tyre përmes linjës së drejtpërdrejt ajrore.
Javën e kaluar, në aeroportin “Aleksandri i Madh”, “TAV Maqedoni” promovoi edhe tre linja të reja edhe atë deri në Maltë, Romë dhe Vaksjo.
Në gjashtë muajt e parë të këtij viti është regjistruar një rritje prej gjashtë përqind nga numri i udhëtarëve, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Në të dy aeroportet e Maqedonisë, nga ai i Shkupit “Aleksandri i Madh” dhe nga ai i Ohrit “Shën Apostull Pali”, nga janari deri në qershor kanë kaluar gjithsej 860.130 udhëtarë.