Në shtator të vitit 2005, ndërtuesit më të mëdhenj në New Orleans u mblodhën në një darkë të madhe festive. Vendi sapo ishte goditur nga një prej uraganeve më të fuqishëm në historinë e SHBA-ve dhe ndërtuesit kishin arsye te forta për të festuar.
Më kryesorja ishte ajo që Joseph Canizaro, një nga ndërtuesit më të mëdhenj në Orleans do ta deklaronte publikisht: “Më në fund e pastruam New Orleansin nga banesat publike. Atë që ne nuk mundem ta bënim përmes lobimit, e bëri Zoti”.
Banesat publike janë apartamente në pronësi të qeverisë, të cilat u jepen me qira sociale familjeve të varfra. Në New Orleans këto ndërtesa ndodheshin në zonat më të lakmuara nga ndërtuesit privat. Por pavarësisht lobimit shumëvjeçar të ndërtuesve për të shembur banesat publike dhe ndërtuar mbi to kullat private, autoritetet në New Orleans kishin rezistuar, deri ditën që Katrina shkatërroi pjesën dërrmuese të tyre. Kjo ishte arsyeja e festës së ndërtuesve, teksa qindra mijë qytetarë të New Orleansit ndodheshin në çadra të pastrehë.
Në kursin e historisë, fatkeqësitë natyrore janë përdorur thuajse gjithmonë nga një grup i ngushtë për të nxjerr përfitime të padrejta në kurriz të qytetarëve. Naomi Klein një shkrimtare dhe aktiviste sociale nga Kanadaja e ka pagëzuar këtë fenomen me termin Kapitalizmi i Katastrofës.
Në Shqipëri, doktrina e Kapitalizmit të Katastrofës nuk është e panjohur. Veçanërisht gjatë dy dekadave të fundit ajo është aplikuar shpesh, kryesisht për të tjetërsuar asete publike ose për të krijuar tregje me ligj. Por tani vendi mund të përballet me një përshkallëzim agresiv të Kapitalizmit te Katastrofës dhe qytetarët do ta paguajnë shtrenjtë.
Në mbledhjen e dytë të Komitetit të Rindërtimit, kryeministri Edi Rama lançoi publikisht planin e qeverisë për të bërë të detyrueshëm sigurimin e banesave. Për të justifikuar këtë masë radikale, me dyshime të forta kushtetutshmërie, kreu i qeverisë përdori një argument të pavërtetë. Atë se si sigurimi i pronës nga katastrofat është i detyrueshëm edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përdorimi i frikës dhe të tezave të pavërteta është mekanizmi tipik për të implementuar Kapitalizmin e Katastrofës. Edhe pse SHBA-të janë një vend që goditen shpesh nga fatkeqësitë natyrore, sigurimi i pronës nga katastrofat në SHBA nuk është i detyrueshëm. As në nivel federal dhe as në nivel lokal.
Në Florida, një nga qytetet më të goditura nga uraganet në SHBA, vetëm 8 për qind e banesave janë të siguruara. Në Californi, një nga vendet më sizmike të globit vetëm 18 për qind e familjeve kanë sigurim prone nga tërmeti.
Këto dy fakte mjaftojnë për të ekspozuar të pavërtetën. Asnjë shtet në SHBA nuk e ka sigurimin e pronës te detyrueshëm me ligj. Dhe nuk ka se si ta ketë, kur Kushtetuta e SHBA-ve nuk pranon as sigurimin e detyrueshëm shëndetësor dhe atë për efekt pensioni.
Por teksa të vërtetat e SHBA-së janë të ndryshme nga ato që servir kryeministri për të shtyrë përpara projektin e sigurimit të detyrueshëm të banesave, ngjashmëritë me Shqipërinë janë të tjera. Ashtu si në SHBA edhe në Shqipëri, peshkaqenët janë gjithmonë gati të shfrytëzojnë katastrofat për të nxjerrë fitime të padrejta me forcën e ligjit.
Në një paralele gati tragjike me atë të New Orleansit, ndërtuesit shqiptar u vërsulën me po të njëjtën shpejtësi të përfitojnë nga tërmeti. Teksa njerëzit ishin ne shok total psikologjik, Artan Dulaku, hodhi në publik tezën e blerjes së apartamenteve që ndërtuesit kanë stok të pashitur. Kapitalizmi i Katastrofës është kudo i njëjtë. Vuajtjet e njerëzve janë mundësi për të fituar para.
Të dy projektet duket se po shkojnë drejt realizimit. Edhe sigurimi i detyrueshëm i banesave edhe blerja e apartamenteve stok të ndërtuesve. Kjo do ta bëjë Ramën, si promotorin më të madh të Kapitalizmit të Katastrofës në historinë e Shqipërisë. Kryeministri që u bë kryekapitalisti i katastrofës.