Kryemadhi nga Lushnja: Do e çojmë deri në fund betejën me bandat e Rilindjes

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi zhvilloi një takim me strukturat e partisë në Lushnje, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.

Gjatë fjalës së saj, Kryemadhi u shpreh se LSI është partia e të rinjve, familjes dhe të personave që merren me bujqësi.

Kryemadhi theksoi se ajo vetë, Petrit Vasili dhe Luan Rama, janë bashkë për të shporrur, atë që ajo e quan “bandën e Rilindjes”.

Monika Kryemadhi: ”Do e çojmë betejën tonë përballë bandave dhe sporteleve të Edi Ramës që do të bëj Pazar jo vetëm me LSI, por me të ardhmen e shqiptarëve. Më 25 prill vota juaj do të jetë për numrin 6, sepse edhe zotit iu deshën 6 ditë për të krijuar botën, edhe numri 6 do të bëjë ndryshimin në Shqipëri dhe do të jetë e ardhmja, sepse është partia e të rejave dhe të rinjve. Këto janë dy vitet e vështira për LSI, sepse morën vendimin që jemi parti me integritet dhe treguam që s’jemi partia e karrigeve, por e të rinjve dhe të rejave, nënave, fermerët.

Jemi partia e djemve. Jemi partia e familjeve shqiptare, e të gjithë atyre që duan të sjellin ndryshimin më 25 prill. Mos thërrisni më ‘Rama ik’ se ai ka ikur. Ne kemi vetëm një qëllim. Nuk është të ndërrojmë një parti në pushtet, por të krijojmë vende të reja pune me pagë të mirëpaguara. Qëllimi ynë është që bizneset të lulëzojnë. Qëllimi ynë është që universiteti bujqësor të ketë përfaqësinë e vet këtu”.