Kryemadhi: Ne si LSI, nuk kemi nevojë as për PD-në dhe as Rilindjen

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ishte ditën e sotme në Vlorë, ku zhvilloi një bashkëbisedim me qytetarë dhe prezantoi kandidatët për deputetë.

Gjatë fjalës së saj, Kryemadhi u shpreh se LSI është parti e majtë, dhe koalicionin parazgjedhor e firmosi jo për faktin se ka nevojë për PD-në, madje as për Rilindjen.

Numri 1 i LSI foli për rezultatin e zgjedhjeve dhe theksoi se partia e saj do të jetë me shumë mundësi parti e parë në të gjithë Shqipërinë.

Monika Kryemadhi: “Sot unë dua të jap një mesazh, ne si LSI jemi parti politike që është e majtë, e kemi bërë një koalicon parazgjedhor me PD jo se kemi nevojë për PD, nuk kemi nevojë as për rilindasit e Ramës por ne e duam vendin tonë e duke e dashur ne marrim përgjegjësi shumë më të mëdha që kanë të bëjnë jo vetëm me ne por me të ardhmen e të fëmijës që do lindi pas dy muajve. Të atyre fëmijëve që sot duan të ikin në kopshte por familjarët s’kanë t’i paguajnë e të ardhmen e qindra mijëra fëmijëve të tjerë që do lindin në të ardhmen. “Xhelozitë janë shumë të mëdha për ty, kanë qenë që kur ke qenë i ri në PS, komplimentoi Kryemadhi Luan Ramën, që është numri një në listë.