Gjatë një takimi me strukturat e LSI-së në Devoll, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi i ka dalë në mbrojtje presidentit Meta, duke thënë se në të gjitha postet është votuar nga deputetët. Ajo ka sulmuar kryeministrin, ndërsa theksoi se Rama ka pasur frikë sepse Ilir Meta nuk bën kompromis për xhepat e tij. Në fund ajo vendosi pikat mbi ‘i’, ku deklaroi se Meta nuk ka ardhur asnjëherë në pushtet, si rezultat i kompromisit.
“E dëgjoj që bërtet e ulëret, nuk kam pse ta mbroj unë Metën, se Meta na ka mësuar ne sesi të mbrohemi. Bërtet për presidentin. Edi Rama ka pasur frikë sepse Ilir Meta nuk bën kompromis për xhepat e Edi Ramës për inceneratorët që paguan median për të zhdukur fjalën incenerator, sepse gropat e pleras nuk janë gjë tjetër vetëm se grabitja e parave. Ka frikë nga gratë naftëtare, u grabit dhe naftën, nafta e Shqipërisë shitet më pak se çdo naftë e vendeve të tjera.
Njerëzit e kanë kuptuar sesi Edi Rama po grabit, ky njeri që kurrë nuk është votuar, e ka marr pushtetin me kompromise. Ilir Meta është zgjedhur me votat e deputeteve si kryetari i Parlamentit, dhe më pas në vitin 2017 si president me votat e PS dhe LSI. Nuk ka ardhur asnjëherë në krye si një rezutat i kompromisit.
25 prilli është dita e fundit e mbretërimit kriminal. Sot i ka filluar numërimi mbrapsht, ne nuk do të ndalojmë duke u takuar, por nuk do të ndalojmë duke biseduar me ju e duke ju nxitur që të shkoni të votoni. Të kthehen të gjithë të rinjtë, sepse kthimi i tyre do jetë referendum për t’i dhënë fund këtij sekti grabitqar. Kjo është një nga detyrat tona”, tha Kryemadhi në fjalën e saj.