Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi mbrëmjen e sotme ishte e ftuar në rubrikën “5 pyetjet nga Babaramo”, prej ku foli troç rreth faktit se s’ka aspak frikë të hyjë në zgjedhje me Edi Ramën.
“Nuk kam fare frikë të shkoj me Ramën kryeministër. Ne sot jemi vendosur përballë një presioni. Treguam se edhe kur bën zgjedhje vetëm i manipulon. Nuk po arrijmë dot të balancojmë votat. U bënë zgjedhjet në Greqi, fituesi u betua direkt pas rezultatit. Zgjedhjet sipas dekretit të presidentit janë më 13 tetor dhe nuk ishin më 30 qershor. Kolegji Zgjedhor ka hedhur poshtë vetëm kërkesën e Idejet Beqirit dhe jo dekretin e presidentit. Si PD dhe opozita jemi për çështjen e standardeve.
A është 13 tetori a 24 tetori është diçka që duhet ta diskutojmë të gjithë me presidentin e Republikës. Parlamenti sot është ilegjitim pasi kemi deputetë të zyrtarizuar nga prokuroria dhe të konfirmuar nga gazeta gjermane Bild. Sa herë e kemi diskutuar djegien e mandateve, kjo shihet si një fenomen që mund të kthehet zinxhir në rajon. Një nga lobistët më të mëdhenj për djegien e mandateve është Vuçiç. Ai ka thënë se nëse do njihet në Shqipëri do vijojë edhe në vendet e tjera të rajonit”, tha Kryemadhi.