Koronavirusi shkakton 3 milion viktima në të gjithë botën

Numri i personave të vdekur me koronavirus, në nivel botëror, ka arritur në tre milionë, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.

Këto raportime vijnë një ditë pasi udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka paralajmëruar se bota po i afrohet shkallës më të lartë të infektimit deri më tani.

India, vend që po përballet me valën e dytë të infektimit, ka regjistruar më shumë se 230,000 të infektuar vetëm të shtunën.

Prej shpërthimit të pandemisë janë regjistruar gati 140 milionë të infektuar me këtë virus.

Shefi i OBSH-së ka thënë të premten se “shkalla e infektimit dhe vdekjeve është duke vazhduar me ritëm shqetësues”.