Nis sot në mbrëmje faza e “play off”-eve për Botërorin “Rusi 2018”. Do të ketë dy përballje mjaft interesante, ku Kroacia do të përballet me të ashtuquajturën “macen e zezë” për ta, Greqinë, ndërsa sfida tjetër është mes Irlandës së Veriut dhe Zvicrës. Derbi ballkanik ka favorit kroatët edhe pse këta të fundit vetëm një herë kanë arritur të mposhtin në eliminatoret e botërorit të vitit 1997, që u organizua një vit më vonë dhe u fitua nga Franca.
Greqia përfundoi e dyta në grup, duke e siguruar vetëm në ndeshjen e fundit pasi mposhti Gjibraltarin me rezultatin 4-0, vendin e parë e siguroi Belgjika në grupin H. Ndërsa Kroacia ishte në grupin I ku bënte pjesë edhe Përfaqësuesja e Kosovës. Kroatët morën vendin e dytë me dy pikë më pak se kryesuesit e Islandës dhe tani kanë dy sfidat përballë Greqisë për të siguruar një biletë për në Rusi.
Ndërsa në përballjen tjetër Zvicra ishte koka e grupit B deri në ndeshjen e fundit, ku u mund nga Portugalia dhe humbi kreun e grupit. Skuadra helvete me yjet shqiptarë në përbërje do të kërkojë të sigurojë kualifikimin që në ndeshjen e parë, për të mos lenë vend për surpriza. Nga ana tjetër Irlanda e Veriut u pozicionua pas Gjermanisë në grupin C. Favoritë pa diskutim në këtë përballje janë helvetët e Petkoviç, pasi kanë një skuadër mjaft kualitative dhe patën një paraqitje mjaft dinjitoze edhe në Europianin e Francës që lamë pas.