Kriza pandemike po zgjeron tregun e zi të huasë (fajdet)

Në kulmin e karantinës, në datën 19 prill të këtij viti, autoritetet e policisë vendore në qytetin e Shkodrës arrestuan 12 persona, pjesë e një grupi kriminal që kishte në themel të aktivitetit dhënien e parave me fajde. Grupi jepte shuma parash me afat kthimi deri në një javë, kundrejt interesave mbi 20%. Nëse kredimarrësi nuk i kthente paratë në kohë, atëherë ndaj tij merrej masa e sekuestros me dhunë, duke i përvetësuar makinën, pronën deri tek sendet personale me vlerë.

Grupe të tilla po gjejnë terren kudo nëpër Shqipëri, të ushqyer nga qarkullimi i lartë i parasë cash. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se fenomeni i qarkullimit të parasë jashtë kanaleve zyrtare ka shënuar rritje kohët e fundit, teksa numri i individëve dhe bizneseve që marrin hua me fajde në tregun e zi është rritur këtë vit.

Statistikat zyrtare të BSH-së tregojnë se në muajin gusht, paraja jashtë korporatave depozituese ishte sa 23.5% e ofertës monetare, parasë gjithsej në ekonomi i njohur si agregati M3. Ky raport ishte më i larti që nga dhjetori i vitit 2009, kur shpërtheu kriza financiare globale, që e kishte zanafillën nga bankat. Paraja cash arriti 328 miliardë lekë (2,6 miliardë euro) në fund të gushtit 2020, duke u zgjeruar me gati 40 miliardë lekë, ose 13.8% në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë.

Një pjesë e parasë cash që po qarkullon në ekonomi po jepet me fajde. Fenomeni është provuar nga dy anketa që Banka e Shqipërisë ka bërë me 437 biznese dhe 251 familje huamarrëse, rezultatet e të cilave kanë treguar se gjatë këtij viti, janë rritur dukshëm rastet e financimit nga tregu i zi për të dyja kategoritë.

Paraja me fajde në tregun e zi është më e përhapur tek individët dhe më pak tek biznese, por këto qarkullojnë vlera më të larta. Interesat janë të larta dhe afatet e kthimit të shkurtra. Kryesisht përdoret për konsum, për të financuar qarkullimin tek bizneset, ose për të shlyer një borxh tjetër.

48% e familjeve me borxh financohen nga tregu i zi, rritje më 2020

Individët dhe familjet në Shqipëri historikisht e kanë siguruar financimin e tyre me hua jashtë bankave se sa në institucionet e licencuara të kreditit, sipas rezultateve të një ankete me periodicitet 6-mujor që Banka e Shqipërisë bën në familjet huamarrëse, për të testuar gjendjen e tyre financiare.

Në 6-mujorin e parë të këtij viti rezultoi se, nga individët me borxhe, 48% e kishin marrë nga persona të tjerë fizikë, 33% e kishin siguruar nga bankat, ndërsa një kategori tjetër, rreth 16%, ishin huamarrës kundrejt dyqaneve, pasi kanë konsumuar artikuj me borxh, të cilat shlyhen në një periudhë të mëvonshme.

Individët që kanë plotësuar nevojat me financim nga tregu i zi arritën përqindjen më të lartë që nga viti 2011, kur ky tregues ishte 54%. Të dhënat tregojnë se financimi nga tregu i zi ka ardhur gjithnjë e në rritje vitet e fundit, duke arritur kulmin në 6-mujorin e parë 2020, ku numri i familjeve që morën hua në tregun e zi u rrit me 6 pikë përqindje, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Lexo edhe :   Rritja e çmimit të apartamenteve në bregdet nuk ndalet

Huaja në rritje jashtë bankave këtë vit është favorizuar edhe nga pandemia Covid-19, e cila ka i vështirësuar mundësitë për të marrë kredi nga banka. Sipas të dhënave administrative të tregut të punës, rreth 47 mijë individë kanë humbur punën në 6-mujorin parë, shumë prej të cilave kanë financuar konsumin me borxh nga tregu i zi.

Pavarësisht se numri i individëve që merr hua informale është më i lartë se numri i atyre që marrin hua në banka, shuma e marrë nga bankat është më e madhe se ajo në tregun e zi. Paralelisht me rritjen e numrit të familjeve që financojnë borxhin me fajde, ka pësuar rënie numri i individëve që financohen me kredi nga bankat. Të dhënat nga anketa e Bankës së Shqipërisë tregojnë se nga totali i familjeve me borxh, 33% e tyre e kishin ndaj bankave me ulje 2 pikë përqindje në raport me 6-mujorin e parë 2019.

Një numër i madh familjesh borxhlie detyrohen ndaj dyqaneve dhe pikave të shitjes me pakicë. Në 6-mujorin e parë 2020, këto përbënin 16% të totalit. Zakonisht borxhi i tyre është në ushqime dhe bukë, të papaguara nga njësitë e shitjes me pakicë të lagjeve.

Ky lloj borxhi, i cili njihet si listat në dyqane, nuk përfaqëson fajdet në tregun e zi. Zakonisht, dyqanet i japin ushqimet kundrejt pagesave të mëvonshme pa interes. Shumë nga njësitë e shitjes me pakicë e humbasin arkëtimin e këtyre borxheve ose i falin pasi disa nga familjet janë aq të varfra sa nuk ka shpresë për arkëtimin e tyre.

Rritet përqindja e bizneseve të mëdha që financohen nga persona fizikë

Bankat janë burimi kryesor i financimit të huasë për bizneset e mëdha në vend, por së fundmi, fenomeni i financimeve nga tregu i zi ka shënuar rritje të ndjeshme. Anketa e Bankës së Shqipërisë tregon se në 6-mujorin e parë 2020, 3.7% e bizneseve të mëdha huamarrëse janë financuar nga persona të tjerë fizikë dhe 1.3% nga kompani të tjera. Ky lloj financimi ka shënuar rritje të mprehtë gjatë këtij viti, tregon anketimi. Në mesataren historike, së paku që nga viti 2016, bizneset që financoheshin nga tregu i zi përbënin më pak se 1% të bizneseve të mëdha huamarrëse.

E njëjta tendencë ishte edhe për bizneset e mesme borxhlie, ku gati 3% e tyre u financuan nga persona fizikë në 6-mujorin të parë. Huaja nga tregu i zi për kategori biznesi nisi të rritet gjatë gjysmës së dytë të vitit 2019. Zakonisht financimet nga tregu i zi për këtë kategori zënë më pak se 2% të numrit të bizneseve, por nga qershori 2019 në qershor 2020, kjo përqindje ka pësuar rritje jo të zakontë./Monitor/