Miliarderi Ren Zhiqiang, i cili kritikoi trajtimin e Presidentit Xi Jinping të pandemisë së koronavirusit është dënuar me 18 vjet burg.
Gjykata ka shpallur Ren fajtor për “korrupsion, ryshfet, përvetësim të fondeve publike dhe abuzim me pushtetin”.
Në dokumentet e gjykatës është thënë po ashtu se Ren ka pranuar “krimet e tij”, bashkë me dënimin.
Ren Zhiqiang, një manjat i pasurive të patundshme në pension me lidhje të ngushta me zyrtarë të lartë kinezë u zhduk më herët gjatë këtij viti, pasi publikoi një artikull duke kritikuar Pekinin për mënyrën si ka menaxhuar pandeminë Covid-19, shkruan CNN.
Ndonëse në shkrimin e tij nuk është përmendur drejtpërdrejt presidenti kinez, në të është folur për një “palaço” të etur për pushtet dhe të vendosur për të “luajtur rolin e perandorit”.
Ren më herët kishte kritikuar Partinë Komuniste edhe përmes postimeve në rrjetet sociale.