Kreu i OBSH-së ul euforinë: Vaksina nuk mjafton në mposhtjen e pandemisë

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus ka paralajmëruar se vetëm vaksina nuk do të jetë e mjaftueshme për të mposhtur pandeminë Covid-19.

“Vaksina do të plotësojë mjetet e tjera që kemi dhe nuk do t’i zëvendësojë ato”, tha Ghebreyesus në një takim të Këshillit Ekzekutiv të OBSH-së.

Shefi i OBSH-së, por edhe zyrtarët tjerë të organizatës, janë munduar të ulin optimizmin e ngjallur në ditët e fundit, pasi laboratorët e kompanive Pfizer dhe BioNTech njoftuan se vaksina e tyre, e cila është në fazën e tretë të testimit, është 90% efektive.

“Fillimisht, sasitë do të jenë të kufizuara dhe për këtë arsye personeli mjekësor, të moshuarit dhe personat në rrezik do të kenë përparësi dhe ne shpresojmë që kjo të zvogëlojë numrin e vdekjeve dhe të lejojë që sistemet shëndetësore të mbijetojnë”, tha Ghebreyesus.

Ai bëri thirrje që masat për të kontrolluar përhapjen e Covid-19, të tilla si testimi, karantina dhe monitorimi i kontakteve, të mos shfuqizohen para kohe.