E mërkurë, 4 Gusht, 2021
35.5 C
Tirana

KPK shkarkon gjyqtarin e akuzuar nga ministri Çuçi

Sot Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra gjyqtarin e Vlorës, Albert Spiro, për shkak të problemeve me pasurinë. Vendimi për shkarkimin e gjyqtarit të Gjykatës së Vlorës u mor nga trupa e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Pamela Qirko dhe Etleda Çiftja.

Si ka ndryshuar pasuria e tij familjare 

Nga relatimi i Etleda Çiftjes, pjesë e trupës së kryesuar nga Brunilda Bekteshi dhe me anëtare Pamela Qirko, u la të kuptohej se problemet kryesore të Spiros ishin në kriterin e pasurisë. Sipas relatimit, pasja e dy kontratave me vlera të ndryshme për shitjen e një apartamenti në Gjirokastër, krijonte dyshime për shmangie të tatimit, ndërsa linte pa burime të ligjshme subjektin për blerjen e një apartamenti në Vlorë. Ndërkohë, KPK tha se nuk kishte përfshirë në analizë financiare edhe një hua prej 50 mijë euro e përdorur për blerjen e një apartamenti në Tiranë, që bashkë me mungesa të tjera krijonin një bilanc negativ të madh për Spiron.

Problemet e apartametit të shitur

Relatorja Çiftja vuri në dukje gjatë relatimit se KPK e cilësonte problem faktin që kontratat e lidhura për shtëpinë në Gjirokastër ishin me çmime të ndryshme. Relatorja tha se çmimi në kontratën e kaparit, që në fakt justifikonte blerjen e një apartamenti me një çmim të ngjashëm në Vlorë në të njëjtën kohë, ishte ulur me gati 2 milionë në kontratën e shit-blerjes.

Relatorja po ashtu ngriti dyshime edhe mbi mënyrën se si ishte përfituar apartamenti në Gjirokastër në vitin 1998 dhe burimet e ligjshme për ndërtimin e tij në shumën 26 mijë dollarë. Duke iu referuar si çmim atij në kontratën e shitjes, Çiftja vuri në dukje se kjo e nxirrte gjyqtarin me diferencë negative prej gati 1.9 milionë lekësh në blerjen e një apartamenti në Vlorë për 6.5 milionë lekë në vitin 2008.

Gjyqtari pranoi ekzistencën e dy kontratave, por mohoi se ato ishin përdorur për të shmangur tatimet. Ai tha se në kontratën e shitjes, ishte përdorur çmimi i referencës, sipas këshillës së noteres, ndërsa vuri në dukje se apartamenti ishte shitur me mobiljet që nuk mund të tatoheshin.

Ai tha se kishte paguar detyrimet dhe bazuar në ligjin dhe normat e kohës i rezultonte se kishte paguar tatime sikur apartamenti të ishte shitur në shumën 5.7 milionë lekë. Sipas tij, pjesa që nuk mbulohej ishte minimale dhe se KPK duhej të mbante në konsideratë se në çmim përfshiheshin edhe mobiljet, shitja e të cilave nuk tatohej.

I pyetur për dyshimet e ngritura nga KPK mbi mospagimin në kohë të kësteve dhe mosdeklarimin e disa transaksioneve, Spiro tha se mungesa e korrektesës në këtë rast kishte qenë e dykahshme. “Edhe ne, edhe kompania nuk kemi qenë korrektë”, tha ai.

Ai këmbënguli se kishte pasur shumën 26 mijë dollarë të fituara në Greqi si emigrant me vizë turistike. Po kështu vuri në dukje se nuk kishte pasur dokumente pune, dhe në atë kohë nuk kishte pasur as interes për të bërë të tilla në Greqi.

Huaja 50 mijë euro

Nga relatimi doli se veç apartamentit në Vlorë, Spiro kishte blerë një apartament në Tiranë, që siç tha ai, ishte përdorur nga fëmijët gjatë kohës së studimeve. Çiftja tha se si burim për apartamentin e blerë në kryeqytet ishte një hua nga një i afërm, kumbara e vajzës, në shumën 50 mijë euro.

KPK vuri në dukje se nga hetimi rezultonte që huadhënësi kishte pasur të ardhura të mjaftueshme, por se në momentin e dhënies së huasë në llogaritë bankare të huadhënësit nuk kishte asnjë gjurmë transaksioni dhe arka e kompanisë së tij mbante vetëm sasi të vogla cash.

Po ashtu sipas KPK-së, nuk kishte gjurmë dokumentare të dhënies së huasë dhe as të kthimit të saj. Hetimi administrativ po ashtu tha se huadhënësi kishte bërë investime në të njëjtën kohë në vlera të mëdha, që ngrinin dyshime për mundësitë e dhënies së huasë në atë moment.

Spiro këmbënguli në fjalën e tij se burimi i huasë ishte i ligjshëm, duke referuar të ardhurat e huadhënësit. Por në pyetje, trupa i bëri me dije se në rastin konkret vihej në dyshim mjaftueshmëria dhe lëvizja e parave në atë kohë kur ishte dhënë huaja dhe jo burimi i tyre. Gjyqtari këmbënguli në marrëdhënien e posaçme dhe citoi nevojën që kishte pasur në atë kohë. Ai tha se huadhënësi mund të kishte përdorur burime të tjera, por ai nuk qe në gjendje të thoshte cilat ishin ato. Ai tha se shtëpia në Tiranë kishte qenë në kushte minimaliste dhe këmbënguli se mobilimi i saj, që e nxirrte me minus financiar në disa vite ishte i shpërndarë ndryshe nga sa ishte llogaritur në KPK. Spiro kërkoi nga KPK me këmbëngulje të rishiheshin shpenzimet jetike, duke iu referuar faktit se ishte në një rajon të ndryshëm nga Tirana, dhe se atje shpenzimet ishin më të vogla.

Karriera

Albert Spiro e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000, si gjyqtar në Gjykatën e Tepelenës. Prej vitit 2006, Spiro e ushtron funksionin në Gjykatën e Rrethit të Vlorës.

Bledi Çuçi e akuzoi për lirimin nga qelia të Edison Begajt

Albert Spiro u akuzua nga Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, për lirimin nga burgu të Edison Begajt, i cili u arrestua nga RENEA, për ‘armëmbajtje pa leje’ në 28 qershor. Begaj, në 30 maj iu bë atentat pranë banesës, në sy të dy fëmijëve të tij.

Në konferencën për shtyp, Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi u shpreh se Inspektoriati i Drejtësisë, ILD duhet të nisë hetimet ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve që lirojnë personat e rrezikshëm.

“Nuk janë ndërhyrje ndaj gjyqësorit, por shembuj të asaj se si nuk duhet të jetë forca e ligjit”, u shpreh Ministri i Brendshëm.

Edison Begaj u arrestua me shumë bujë pas një operacioni blic në Lungomare të Vlorës, nga RENEA, FNSH dhe Policia e Shtetit. Gjatë arrestimit 41-vjeçarit iu gjet një armë zjarri pistoletë, me një krehër me 5 fishekë pa leje, ndërsa po gjatë këtij operacioni u shoqëruan edhe 10 persona të tjerë. Begajt iu bë një atentat, ku u qëllua më 4 plumba në gjymtyrët e poshtme.

Autori i këtij atentati ende nuk ka rënë në prangat e policisë, por një ditë pas ngjarjes autoritetet zbuluan një makinë në afërsi të Lushnjes e cila u dyshua se u përdor nga autori, ndërsa brenda saj u zbulua një uniformë policie.

Edison Begaj u qëllua me katër plumba, ndërsa ishte subjekt i OFL, pasi më parë rezulton të jetë dënuar për trafik droge dhe armësh. Në shkurt të 2010 ai është dënuar me 7 vite e 6 muaj burg për drogë. Po ashtu, edhe në vitin 2015 Begaj u kap me 50 kg lëndë narkotike të llojit marijuanë “çokollatë”. /Tirana Today

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

VIDEO/Rama i shpalli ‘luf*ë të hapur’, Peleshi shfaqet me Dritan Lelin në Vlorë

Situata me zjarret është përkeqësuar gjatë ditëve të fundit. Flakët kanë mbërritur edhe në zonat e banuara, duke ndezur sinjalin SOS në Gjirokastër, Dukat,...

Verbëria e rutinës së dorëzimit të përditshëm

Nga: Agim Baçi Shpesh njerëzit tregohen të verbër, ose bëjnë sikur!”, tha shkrimtari portugez Jose Saramango në ceremoninë e marrjes së çmimit “Nobel” në vitin 1998, duke...

Humbi jetën mes flakëve/ Shoku i viktimës: Nuk kishim zjarrfikëse

Detaje të reja të rënda kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen e rëndë ndodhur dje në fshatin “Asim Zeneli” në Gjirokastër, ku mbeti...

E vr*u për pronën/ “I trembem hakmarrjes”, vëllai i vras*sit kërkon mëshirë

Pak ditë më parë, një sherr mes kushërinjve për pronën në Lushnje përfundoi me një të vrarë. Autori i krimit, Kastriot Hasalla pritet të...

‘Cënoi besimin e publikut’, KPA shkarkon prokurorin e Krimeve të Rënda

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA), shkarkoi nga detyra prokurorin e Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj. Në vendim thuhet se Hajdarmataj ka cënuar besimin...