Aktualitet

KPK-ja rihap hetimin për prokurorin Anton Martini, arsyeja


               Publikuar në : 13:30 - 27/01/20 M P

Prokurori i Krimeve të Rënda, Anton Martini do të jetë sërish subjekt i hetimit të KPK-së. Edhe pse është hetuar njëherë për të tre kriteret e vlerësimit, Martini do t’i nënshtrohet sërish vettingut, pas një denoncimi për punën e kryer si drejtues i prokurorisë në Shkodër.

Pas denoncimit ngritur ndaj tij, KPK-ja ka ngritur dyshime se subjekti i ka hequr dosjet hetimore disa prokurorëve, duke ia kaluar disa të tjerëve, ndërkohë që të parët nuk ishin dorëhequr.

Komisioni kërkoi shpjegime Martinit për procedurat e riorganizimit, rishpërndarjes së çështjeve dhe zëvendësimit të prokurorëve. Nga hetimi është konstatuar se 10 nga 13 dosje të trajtuara më parë, i janë caktuar të njëjtit prokuror.

“Në Shkodër mora informacion se eksponentë të krimit ndikonin tek prokurorët. Për këtë shkak unë inkurajova prokurorë oficerët. Aplikova metodat proaktive për të zbardhur disa ngjarje si vrasje me shpërthime me tritol apo tjetërsim pronash në bregdet.” u shpreh Martini. Ai theksoi se: një  prokuror nuk kishte certifikatë sigurie e për këtë arsye ka kryer ndarjen në seksione..

Arsyetimi i Martinit pasi u bë i njohur me denoncimin ishte: Në nëntor 2017 jam komanduar si drejtues i përkohshëm në Prokurorinë e Shkodrës. Nuk kërkova unë të isha drejtues, madje e kam kundërshtuar, për shkak të ngarkesës që kisha me dosjet.

Sa isha drejtues në nëntor 17- qershor 19 u angazhova për organizimin e punës. Inkurajova oficerët e policisë gjyqësore. Ndërtova marrëdhënie institucionale që ishin vënë në dyshim. U bëra pjesë e hetimit të dosjeve mbi ngjarje të rënda kriminale.

Në bashkëpunim me policinë lokale rihapa disa çështje të pezulluara. Disa prej dosjeve kaluan për kompetencë në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Në asnjë rast kur janë zëvendësuar prokurorët nuk ka pasur ankesë nga ana e tyre.


Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT