E shtunë, 23 Janar, 2021
12 C
Tirana

Kostoja njerëzore e luksit përrallor të Dubait

Nga: Rafia Zakaria “Dawn”

Disa muaj më parë britanikja “The Guardian” publikoi historinë e Hasanit 30-vjeç, një nga 99 pakistanezët e bllokuar në Dubai që nga fillimi i pandemisë, në një kamp pune praktikisht të braktisur në periferi të qytetit.

Ata nuk kanë para apo ndonjë mënyrë për t’u kthyer në shtëpi. Kohët e fundit kanë filluar të lypin për ushqim, pasi po vdesin nga uria. Ata janë aktualisht të varur nga organizatat bamirëse që po përpiqen t’i ndihmojnë. Kompania e ndërtimit për të cilën kanë punuar, i ka ndërprerë të gjitha marrëdhëniet me ta.

Ndaj, shanset që ata të marrin pagat e prapambetura janë shumë të pakta. Unë e kisha lexuar historinë e Hasanit kur u botua në shtator, dhe më bëri përshtypje fakti që as në vjeshtë këta njerëz nuk ishin në gjendje të ktheheshin në Pakistan.

Natyrisht për shkak të pandemisë, por mbi të gjitha për shkak të metodave të përdorura nga ndërmjetësit që i dërgojnë pakistanezët e rinj në Emiratet e Bashkuara Arabe. Komentet mbi artikullin tim, mbi faktin se që nga fundi i nëntorit Emiratet nuk kanë lëshuar viza turistike për qytetarët e 11 vendeve, përfshirë Pakistanin, kanë hedhur dritë mbi realitetin e zymtë të shfrytëzimit dhe dëshpërimit të njerëzve, të forcuara këto nga pandemia.

Një nga komentet ishte nga një djalë nga zona Dir e Epërme në rajonin Kyber Paktunkhbva. I diplomuar në fakultetin bujqësor të Universitetit të Peshauarit, i riu bëri shumë përpjekje për të kërkuar punë në Pakistan. Por në fund, si shumë të tjerë edhe ai hoqi dorë dhe vendosi të transferohej me punë në Dubai.

Ai ra në kontakt me një agjent të quajtur Ali, që mblidhte djem të rinj nga i gjithë Pakistani, duke i ndihmuar ata të merrnin një vizë për në Dubai, me premtimin e një pune të paguar mirë. Për të paguar ndërmjetësin dhe biletën e avionit, gratë e familjes së tij kishin shitur të gjitha bizhuteritë e tyre.

Në Dubai, Ali dhe agjentët e tjerë e pritën në aeroport dhe e çuan atë dhe djemtë e tjerë të sapoardhur në një bazë të përkohshme. Brenda një kohe të shkurtër, agjencia e Aliut e dërgoi atë në një kamp pune.

Edhe pse i ishte premtuar një punë e mirë, e përshtatshme për një të diplomuar me universitet, ai e pa veten duke kryer punë fizike për 12 orë në ditë, në çdo ditë të javës.

Pasaporta dhe dokumentet janë ende në duart e agjentit. Duke mos u paguar për punën e kryer, ai nuk ka para për t’u kthyer në shtëpi. Dhe në çdo rast, rikthimi do të thoshte një çnderim i sakrificës që bëri familja. Në letrën e tij, djali shkruante se kishte menduar të vriste veten për të dalë nga ajo jetë skëterre.

Edhe mjekët e rinj pakistanezë që kanë emigruar në Emirate, janë gjithashtu shumë në vështirësi. Shumë prej atyre që kishin aplikuar, prisnin të autorizoheshin që të nisnin punë si mjekë në Dubai, në muajin mars. Ata kishin marrë një ofertë pune nga Emiratet, duke dhënë dorëheqjen nga puna e tyre aktuale.

Ata që prisnin të merrnin lejen e punës kishin paguar shumat e kërkuara, kishin kaluar provimet përkatëse, kishin blerë biletat e avionit, dhe kishin shpenzuar shumë para për të qenë në gjendje të plotësonin të gjitha kërkesat dhe të merrnin autorizimin. Pastaj Covid-19 hodhi në erë gjithçka.

Ata që mbetën në mes të rrugës, mbetën pa përgjigje. Me kalimin e muajve skaduan vizat, ndaj ata duhej që të paguanin sërish për të ri-aplikuar. Dhe kjo vetëm për të fituar të drejtën për të ushtruar profesionin në Dubai. Disa u përpoqën të rinisnin procesin në shtator, kur u hoqën kufizimet e udhëtimit, por situata ndryshoi sërish kur Emiratet e Bashkuara Arabe pezulluan miratimin e vizave për qytetarët pakistanezë.

Në këtë kohë, të rinjtë pakistanezë që janë në Dubai apo që duan të largohen, po përballen me vështirësi të mëdha. Historitë e tyre janë një paralajmërim për ata që duhet të vendosin nëse do të shkojnë apo jo në Emiratet e Bashkuara Arabe. Pandemia ka nxjerrë edhe njëherë në pah mizorinë e agjencive që rekrutojnë të rinjtë për t’i përdorur si fuqi punëtore për të ngritur grataçelat dhe teprimet e pangopura të Dubait.

Agjencitë e pamëshirshme që japin lejet e punës, nuk bënë përjashtim për ata që e kishin paguar tashmë aplikimin. Kjo është shenjë e një mentaliteti çnjerëzor, që refuzon të njohë edhe nevojat e atyre që duhet të punësohen në spitalet lokale.

Kjo është historia e një emirati dikur të pasur dhe fitimprurës, dhe që tani është vetëm një shesh lojërash në shkretëtirë për ish-diktatorët nga e gjithë bota, politikanët endacakë dhe familjet mbretërore. Me rënien e çmimit të naftës dhe tani pandeminë, Dubai ka nxjerrë në pah degradimin e tij.

Pamundësia e tij për t’i dhënë nënshtetësi edhe atyre punonjësve që qëndrojnë prej dekadash në këtë vend, është një nga arsyet pse mijëra të huaj kanë zgjedhur që të largohen pas pandemisë. Shumë nga ata ankohen për mungesën totale të shërbimeve sociale për një pjesë të madhe të popullsisë që është pa shtetësi.

Prandaj, ka të ngjarë që të huajt më të dëshpëruar të qëndrojnë në Dubai, një kategori ku hyjnë shumë pakistanezë. Nëse jetët dhe jetesa e tyre janë të rëndësishme për vendin dhe qeverinë që supozohet t’u shërbejë atyre, është e nevojshme të ndërhyhet për të ndihmuar djemtë dhe vajzat që vuajnë nga neglizhenca e pamatur e një sistemi shfrytëzues burokratik.

Burimi i lajmit: https://www.internazionale.it/opinione/rafia-zakaria/2020/12/23/dubai-lavoratori-immigrati

Përshtatur nga TIRANA TODAY

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

E trishtë/ Ndërron jetë në moshën 35-vjeçare ish-sulmuesi

Ish-sulmuesi xhamajkan, Luton Shelton ka ndërruar jetë në moshën 35-vjeçare, për shkak të një sëmundje. Shelton ishte diagnostikuar në vitin 2018 me sëmundjen “ALS”, e...

Berlini përgatitet për konsultime me administratën Biden

Lehtësimi i jashtëzakonshëm u shpreh në Gjermani që kur Joe Bideni i fitoi zgjedhjet presidenciale. Kurse të mërkurën (20.01.), kancelarja Angela Merkel i shkroi...

Samsung u ngrit si një dyqan që shiste perime, dhe kuriozitete që nuk i dinit

Sistemi ligjor i Japonisë ka një normë dënimi prej 99 për qind. Peshkimi mbetet profesioni i dytë më i rrezikshëm i Shteteve të Bashkuara, pas...

Analisti: Basha do ketë Tiranën, ja kush do jetë drejtuesi i PD në Gjirokastër

Partia Demokratike ka emëruar drejtuesit politik në pjesën më të madhe të qarqeve, ndërkohë që janë ende për t’u zbuluar se cilët do të...

A do jetë sërish kandidat për deputet? Ja si përgjigjet Ervin Salianji

Ervin Salianji është shprehur se ekziston mundësia që ai të jetë kandidat për deputet në listën e Partisë Demokratike. I ftuar në “Zonë e lirë”,...