Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë sot se ruajtja e integritetit territorial do të vazhdojë të jetë prioritet shtetëror dhe se shpreson që Kosova e Serbia do të kthehen në tavolinën e dialogut gjatë këtij viti.
“Me gjithë përkushtimin dhe konstruktivitetin tonë maksimal, nuk jemi të kënaqur me mbarëvajtjen e këtij procesi (rreth Kosovës) vitin e kaluar sepse dialogu i vërtetë mungoi, për shkak të refuzimit të Prishtinës për të shfuqizuar vendimin për taksën ndaj mallrave nga Serbia.
Është e pakuptimtë që kjo masë ‘anticivilizuese’ të jetë në fuqi për më shumë se një vit, përkundër kërkesave nga të gjitha anët e botës për ta shfuqizuar atë.
Shpresojmë që kjo të ndryshojë gjatë këtij viti, që taksa të hiqet sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të vazhdohet dialogu për të cilin Serbia është e interesuar dhe e sheh si rrugë te vetme për të arritur një zgjidhje kompromisi dhe afatgjatë”, tha Daçiç, raportojnë mediat serbe.