Zyra e Prokurorit të Specializuar në Kosovë, aktualisht është duke kryer operacione në Prishtinë. Operacionet po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).
Gazetari Milaim Zeka paralajmëroi mëngjesin e sotëm se Gjykata Speciale do të bëjë disa arrestime në gjithë territorin e Kosovës.
Zeka tha për emisionin ‘ABC e Mëngjesit’, se sipas informacioneve të brendshme, politikani Jakup Krasniqi do të arrestohet.
Gazetari Milaim Zeka, foli për “ABC” lidhur me operacionet që Gjykata Speciale po zhvillon në Prishtinë. Zeka shtoi se sot pritet të ketë arrestime në gjithë territorin e Kosovës.
“Për momentin Krasniqi nuk lejohet të komunikojë me anëtarë të tjerë të familjes. Bastisja në shtëpinë tij është thjesht një formalitet.
Gjasat janë që sot do të ketë arrestime në territorin e Kosovës. Sot në 11–shen e të akuzuarve për të cilën kemi biseduar, ku janë përfshirë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, janë edhe Azem Syla, është një pjesëtar i familjes Jashari nga Prekazi Sahit Jashari, i njohur në Kosovë për luftën e tij.
Në listë janë Sulejman Selimi, ish-kryeministri Agim Ceku. Këta janë të gjithë personalitete të larta. Gabimi fatal është bërë nga krerët politik të Kosovës me formimin e Gjykatës Speciale.
Kam qene dakord të krijohet një Gjykatë për njerëzit që kanë bërë krime, por për ato ndaj civilëve. Për fatin e keq ashtu siç bëhen politikat tek ne, u bllokua Gjykata Speciale dhe po shihet që në fokus janë vetëm krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Zeka.