Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj, në një konferencë për media pas mbledhjes së Komitetit për parandalimin e pandemisë, ka bërë publike masat e reja të marra për mbrojtjen nga COVID-19. Ai tha se këto masa do të hyjnë në fuqi nga dita e nënshkrimit të ministrit të Shëndetësisë.
Armend Zemaj është shprehur më tej se këto masa, do të analizohen brenda 2 javëve dhe do të rishikohen.
“MSH, IKSHPK e Komiteti duhet të veprojmë të gjithë së bashku. Numri i lart i infektimeve na obligon të marrim masa. Masat të cilat i kanë propozuar bashkërisht, kanë të bëjnë që është e domosdoshme të reduktohet numri i stafit në institucionet publike dhe private. Shëndetësia dhe siguria duhet të punojnë me kapacitete të plota”, ka thënë Zemaj.
Ai ka shtuar se personat me sëmundje kronike dhe mbi moshën 60 vjeçare, do t’u ndalohet paraqitja në punë.
Ndërsa personave mbi moshën 65 iu lejohet dalja nga ora 06:00-10:00 dhe nga 16:00-19:00, jashtë këtij orari lejohen vetëm për nevoja shëndetësore.
“Ligjëratat në universitete të zhvillohen vetëm online edhe publike edhe private. Të gjitha qendrat tregtare do t’u ndalohet veprimtaria nga ora 21 deri në 5 të mëngjesit. Gastronomia u ndalohet nga ora 21 deri në 5. Është në diskutim që ekipet mjekësore a do të duhet të bëjnë kontrolle në pika kufitare. Konviktet dhe menza e studentëve do të punojnë vetëm duke respektuar masat. Për të gjithë shkelësit e këtyre masave, do të ndëshkohen. Vendimet që do të merren do të shqyrtohen brenda dy javëve”, ka thënë Zemaj.