Instituti i Statistikave ka publikuar raportin “Lëvizjet e shtetasve në Shqipëri”, ku ka publikuar të dhëna lidhur me numrin e shtetasve të huaj ose shqiptarë që kanë hyrë në vendin tonë, specifikisht në muajin qershor.
Ajo që vihet re nga këto statistika, është se nga shtetasit e huaj që kanë hyrë në vendin tonë në muajin qershor, numri i kosovarëve është mjaft i lartë, rreth 31%. Shifër kjo që ka rënë me 9% nga numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në vendin tonë në qershor 2016.
HYRJET DHE DALJET NË QERSHOR:
Sipas raportit të INSTAT, rezulton se në vendin tonë, vetëm gjatë muajit qershor kanë hyrë 816.877 shtetas të huaj dhe shqiptarë.
Krahasuar me qershorin e vitit 2016, rezulton se numri i shtetasve që kanë hyrë në territorin shqiptar është rritur me 8%.
Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në vendin tonë në qershor është 437.820, ndërsa rezulton se është rritur me 11% krahasuar me qershorin e 2016-ës.
Shtetasit shqiptarë dhe të huaj të dalë nga vendi gjatë muajit Qershor 2017 janë 771.980, duke shënuar një rritje me 5,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Qershor 2017 është 381.246. Krahasuar me Qershor 2016, ky numër është rritur 2,9%.
ARSYET E ARDHJES NË SHQIPËRI:
Numri i vizitorëve të huaj, të hyrë në Shqipëri për qëllime pushimi dhe vizita ditore në muajin Qershor 2017, rezulton 207.972, ndërsa në Qershor 2016 ky numër ishte 182.606 duke shënuar një rritje me rreth 13,9 %.
Në Shqipëri, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë për qëllime personale në Qershor 2017 është 430.702 dhe përbëjnë 98,4 %, të numrit gjithsej të hyrjeve të shtetasve të huaj. Krahasuar me Qershor 2016, numri i shtetasve të huaj për qëllime personale është rritur 11,0 %.
Numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri për qëllime biznesi përbën 1,6 % të hyrjeve të shtetasve të huaj, duke shënuar një rritje prej 12,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
STATISTIKA MBI MËNYRAT E UDHËTIMIT:
Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në muajin Qershor 2017, në rrugë tokësore zënë peshën më të madhe të hyrjeve gjithsej me 76,9 %, ndërsa hyrjet në rrugë ajrore zënë 14,7 % dhe detare zënë 8,4 %.
Numri më i madh i hyrjeve të shtetasve të huaj në vendin tonë, në muajin Qershor 2017 rezulton nga Kosova me 31,0%, pasuar nga hyrjet e shtetasve të huaj nga Maqedonia me 12,1 %, Greqia me 9,2 % Itali 7,5 %, etj.
STATISTIKAT PËR 6-MUJORIN E PARË TË VITIT:
Numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë në gjashtëmujorin e parë 2017 është 1.759.294, duke u rritur me 9,9%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2016.
Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i vendit tonë në gjashtëmujorin e parë 2017 është 2.263.581 duke u rritur 3,7%, krahasuar me njëjtën periudhë të një viti më parë.