Kosova, nuk do bëjë dot hapa para as me këto zgjedhje

Nga: Ben Andoni

Të mjafton të dëgjosh ligjërimet e përfaqësuesve të politikës kosovare në KQZ ta kuptosh mirë respektin që kanë për institucionin e zgjedhjeve dhe me këtë rast edhe për vetë Kosovën. Presioni ndaj këtij institucioni prej përfaqësuesve të Vetëvendosjes, që mëtojnë dhe besohet se do të jenë në pushtet por edhe e kundërshtive të partive të tjera, po tregojnë etjen për pushtet në Kosovë.

Nga ana tjetër, pika që i bashkon është lufta ndaj varfërisë, ku të gjithë pretendojnë pensionin dhe rrogën minimale prej 300 Eurosh. Kur thuhet prej Hotit, kryeministrit në detyrë që ka formim ekonomie atëherë të bëhet të besosh mirë se Kosova i ka kapacitet dhe mekanizmat e duhura për ta justifikuar, por e vërteta është se republika e re ka sfida më të mëdha, kurse adresimi më real, që do të ishte përballja me pandeminë, që me sa duket do të shkojë deri në vitin 2022, mungon. Ashtu si edhe realitetet e reja të dialogut me Serbinë, sidomos me ardhjen e presidentit Biden.

Të gjithë i frikësohen realisht përballjes me të vërtetën e Kosovës, ndërsa është më e lehtë të bëjnë atë që ka  bërë deri më tani LDK dhe VLAN dhe PAN, duke u kundërshtuar dhe pastaj duke u bashkuar me kundërshtarët dhe me përfaqësuesit e anatemave më të mëdha respektivë.  Nuk bie më poshtë PDK, që tashmë po përpiqet me vështirësi të tregojë një imazh të ri të saj me anë të Enver Hoxhajt, thellësisht problematik me qëndrimin ndaj luftës së Kosovës apo Partitë e ashtuquajtura të luftës, që tashmë i janë kthyer retorikës së lodhshme të vlerave të luftës.

Lexo edhe :   Vlora është skaneri psiqik i Ilir Metës

Vetëvendosja ka pikërisht këtë avantazh të madh që i mbetet ta tregojë realisht dhe të braktisë atë frymë të shumë prej anëtarëve të saj, që kanë përcjellë në këto javë ngutje për pushtet. Kosovarët do të dinë t’ia tregojnë realisht edhe VV, sesa vlen nëse nuk e justifikon premtimin. Paçka se nuanca zhgënjimi kanë filluar që më tani prej qëndrimeve përballë Shqipërisë dhe qasjeve të gjera.

Kjo e bën gjithkënd të besojë se vërtetë përkohësisht mund të bjerret qeveria e re kosovare prej malit të posteve të zv/ministrave dhe këshilltarëve por jo prej inercisë së imazhit të partive të tjera drejtuese, që luftojnë më shumë për kulte dhe rehatie të militantëve sesa të zbatimeve të programeve të tyre. Të paktën kur dëgjoje kryetaren e KQZ-së së Kosovës Valdete Daka e cila ka pohuar me trishtim se KQZ-ja kurrë nuk ka qenë asnjëherë më e politizuar dhe se “çdo mbledhje është krijuar në ankth, boll..”. Me pak fjalë, kjo të bën të besosh se Kosova sërish nuk do bëjë shumë hapa para.