Ekonomi

Kosova dhe Maqedonia pajtohen për ta hequr masën e reciprocitetit

               Publikuar në : 15:54 - 20/08/19 Enno

Ministri i Tregtisë, Endrit Shala, pas një takimi që ka pasur me ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, ka thënë se Republika e Kosovës deri në fund të kësaj jave mund të heqë barrierat e vendosura ndaj Maqedonisë së Veriut.

Ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë i Kosovës, Endrit Shala dhe ministri i Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi janë takuar sot në Prishtinë ku kanë diskutuar për gjetjen e rrugës së eliminimit të barrierave të ndërsjella tregtare.

Shala ka thënë se janë pajtuar sot për kryerjen e disa detyrave dhe deri në fundjavë të hiqen barrierat si nga Kosova ashtu edhe nga Maqedonia e Veriut.

“Ne si ministri por edhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës jemi dakorduar që agjencioni ynë të dërgojë garancione shtesë drejt Maqedonisë së Veriut. Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinës i Kosovës do të sigurojë Agjencionin e Ushqimit dhe Veterinës së Maqedonisë së Veriut për programin për monitorimin aktiv të produktit të vezëve të peshkut me qëllim që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës së Maqedonisë së Veriut ta më të lehtë që pastaj atë produkt ta tregojë në vendet e BE-së”, ka thënë Shala.

“Jemi dakorduar që deri në fund të javës agjencia jonë t’i përfundojë detyrat e veta dhe pas kësaj agjencioni i Maqedonisë së Veriut ta heqë atë barrierë ndaj Republikës së Kosovës. Parimisht u dakorduam për këta hapa. Në rastin kur të përfundohet kjo do të eliminohet masa nga ne si Ministri e Tregtisë po edhe barriera që po iu shfaqet biznese tona në Republika e Maqedonisë së Veriut”.

“Jemi dakorduar të dy ministrat bashkë me kryeshefat e agjencive të Ushqimit. Deri të premten kërkesa do të dërgohet të agjencioni përkatës. Pas së premtes kjo problematikë do të eliminohet. Jemi dakorduar që në të ardhmen të mos kemi barriera të tilla”, është shprehur Shala.

Kurse ministri i Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, tha se Maqedonia e Veriut nuk e ka vendosur këtë masë vetëm ndaj Kosovës por edhe ndaj vendeve tjera fqinje.

“Maqedonia e ka vendosur këtë masë ndaj të gjithë shteteve që nuk e implementojnë monitorimin aktiv sa i përket produkteve të peshkut. Që nga viti i kaluar ne si qeveri i kemi njoftuar institucionet përkatëse si Kosovën, Shqipërinë, Serbinë dhe Bosnjën për këtë program me të vetmin qëllim që t’i eksportojmë produktet tona në BE”, tha ndër të tjera Bekteshi.

Ndryshe, para disa ditësh Kosova vendosi masë reciprociteti ndaj Maqedonisë së Veriut, për disa produkte, pasi ky vend ndali importin e disa produkteve nga Kosova.

Autoritetet në Kosovë vendosën një masë për dy produkte ushqimore. Ndaluan importimin e mjaltit natyral dhe patateve për të mbrojtur interesin e bizneseve dhe prodhimeve vendore.

Kjo masë kishte ardhur si masë reciprociteti e Kosovës, pasoi pengesat tarifore të vendosura nga Maqedonia e Veriut ndaj rasadit të peshkut që eksportohet nga Kosova në shtetin fqinjë. Kosova për këtë ka bërë ankesë edhe në organizatën e tregtisë së lirë CEFTA.

Kontesti tregtar me Prishtinën filloi kur Maqedonia e Veriut ndaloi importin e peshkut dhe ikrave me arsyetimin se Agjencia kosovare e ushqimit nuk është e akredituar sipas standardeve evropiane. Më pas, Kosova reagoi duke vendosur bllokim për import të patates dhe mjaltit.

Të dhënat e fundit të Entit të statistikës tregojnë se këtë vit për dallim nga viti i kaluar, eksporti është rritur për 38,6%. Në Kosovë në vit eksportohen 1000 ton patate ndërsa eksporti i mjaltit kap shifrën prej rreth 400 mijë euro në vit./Monitor

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT