AA-Instant

“Korrupsioni në institucione”, qytetarët tregojnë ‘shefat’ që kërkojnë lekë (VIDEO)

               Publikuar në : 16:09 - 12/01/19 S.N

Publikimi i video-skandalit ku një gjykatës dhe një psikologe në Fier kërkojnë para dhe favore seksuale, ka sjellë në vëmendje një problem i cili mesa duket ekziston në gjithë institucionet publike. Korrupsioni. Por, teksa për gjyqtarin Roland Hysi dhe psikologen Elona Mecani u la masa e lënies në burg; qytetarët shprehen se ata nuk janë të vetmit. Ata tregojnë për Tirana Today rastet kur janë përballur me korrupsionin në institucione publike.

 “Ajo ngjarja e ndodhur në Gjykatën e Fierit ishte shumë turp. Janë gjëra skandaloze, kur e dëgjuam si lajm u shokuam. Të gjitha gjykatat pa përjashtim të korruptuara janë. Unë personalisht jam gjendur në një situatë korrupsioni. Ma kanë zënë shtëpinë, edhe pse unë i kam letrat me vendim gjykate, mua ma kanë marr. Dhe deri sot e kësaj dite unë paguaj dritat dhe detyrimet atje, ndërkohë tjetri jeton në tokën time. Në fillim kur i kam bërë letrat, kam paguar edhe lekë nëndorës. Edhe pse jam me të drejtën time. Por, përsëri ai te hipoteka i mori paratë dhe unë vazhdoj të jem në të njëjtën situatë.”

“Nuk kam besim fare te drejtësia shqiptare. Mua më kanë kërkuar vetë para. Kur kam pasur hallet e mija. Nuk e kanë bërë drejtpërdrejtë, por kanë lënë të nënkuptuar që donin para. Në gjykatë dhe prokurori po ashtu. Korrupsioni është dhe do jetë gjithmonë.”

Edhe pse afro një viti ka nisur procesi i Vettingut, përsëri qytetarët thonë se nuk kanë aspak besim te drejtësia shqiptare.

“Hiç fare nuk kam besim, janë të gjitha gjykatat shumë keq. Ai gjykatësi dhe ajo psikologia në Fier duan plumbin ballit. Por, problemi është se si puna e tij ka sa të duash. Në të gjithë vendin janë të korruptuar.”

“Nuk kam asnjë gramë besim te drejtësia shqiptare. Duhet urgjentisht një reformë e mirëfilltë dhe radikale.”

“Zero besim kam te gjykatat tona.”

Ndërkohë, disa shprehen për Tirana Today se për këtë situatë është për tu fajësuar edhe vetë populli. Kjo sepse është ky i fundit i cili i ka mësuar insitutucionet publike apo profesione të caktuara të marrin lekë për të ofruar shërbime të caktuara.

“Nuk ka drejtësi këtu në Shqipëri. Janë të gjithë të korruptuar. Ajo që u publikua në Gjykatën e Fierit është një gjë shumë e ulët, anormale. Ata janë kafshë. Por, si puna e tyre ka plot të tjerë. Fakti është që ne si popull i kemi mësuar vetë më t’i dhënë lekë. Dhe në anën tjetër ankohen. Atje ku jetoj unë thonë, mos ardhsh në dorën e mjekut dhe avokatit. Sepse ta nxijnë jetën.”

“Nuk kemi pse paguajmë lekë nëndorës. Derisa ata gjykatës apo punonjës e marrin një rrogë dhe atë rrogën e marrin nga populli. Ne vërtetë i kemi mësuar, por nuk duhet t’i mësojmë më. Prandaj edhe një fjalë e hershme popullore thotë, ç’ke moj zemër që rënkon, koka bën koka pëson. Dhe ne ia kemi bërë vetes tonë.”/ TIRANA TODAY

Kthehu