Me anë të një reagimi për mediat, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë është prononcuar në lidhje me deklaratat e Thaçit, për mundësinë e korrigjimit të kufijve me Serbinë. Këshilli shpreh shqetësimin për qëndrime të tejkaluara në kohë të ashtuquajtura opsioni i “korrigjimit të kufijve”, zhvillime të cilat kanë krijuar paqartësi në oponionin publik, dhe brenda të gjithë faktorit shqiptarë.
Po kështu nënvizohet se fryma e dialogut me Serbinë dhe rezultatet e negociatave duhet të jenë domosdoshmërisht në përputhje me kushtetutën e Republikës së Kosovës, interesat kombëtare dhe ato të partnerëve strategjik SHBA dhe BE.
Deklarata e plotë
“Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, po ndjek me vëmendje deklaratat e ditëve të fundit, mbi ecurinë e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, duke inkurajuar çdo përpjekje të palëve dhe faktorit ndërkombëtarë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, shpreh shqetësimin për qëndrime të tejkaluara në kohë të ashtuquajtura opsioni i “korrigjimit të kufijve”, zhvillime të cilat kanë krijuar paqartësi në oponionin publik dhe brënda të gjithë faktorit shqiptarë.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë mbështet qëndrimet në vazhdimësi, zyrtare dhe publike të qeverive të Republikës së Shqipërisë, të cilat kanë përjashtuar opsionin e korrigjimeve të kufijve për zgjidhjen e interesit kombëtar.
Fryma e dialogut me Serbinë dhe rezultatet e negociatave duhet të jenë domosdoshmërisht në përputhje me kushtetutën e Republikës së Kosovës, interesat kombëtare dhe ato të partnerëve strategjik SHBA dhe BE.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë mbështet gjithashtu, institucionet e Kosovës përfaqësuese në dialogun Prishtinë – Beograd, të vazhdojnë me pergjegjësi këtë proçes, i cili është shumë i rendësishëm për stabilitetin në rajonin tonë.
Përmbushja me sukses i sfidave të brendshme që lidhet me zbatimin e reformave, luftën kundër korrupsionit, konsolidimin e demokracise dhe zhvillimin e mirëqenies në Kosovë, është detyrë lidershipi politik dhe detyrim i patjetërsueshëm ndaj qytarëve dhe miqve ndërkombëtarë të Kosovës”.