E mërkurë, 24 Nëntor, 2021
7.5 C
Tirana

Korrierët e kanabisit eksplorojnë rrugë të reja në kufirin me Greqinë

Nga: Raimond Kola/ BIRN/

Mëngjesin e 20 prillit, Agjencia e Rojeve Kufitare dhe Bregdetare të Bashkimit Europian, Frontex, publikoi fotografinë e tre çantave të zeza sportive, të braktisura në mesin e një pylli në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë, me përshkrimin ironik ‘nga Departamenti i Sendeve të Humbura”. “Nëse kohët e fundit keni humbur tre çanta të mëdha të zeza plot me kanabis në mes të një pylli pranë kufirit grek me Shqipërinë, duam të flasim me ju,” shkruhej në postimin e Frontex në faqen zyrtare të Facebook. “Autoritetet greke janë të gatshme të japin strehim afatgjatë për personat…,” shtohej më tej.

Frontex ishte në kërkim të pronarëve të 50 kilogramëve kanabis, të cilat u gjendën nga policia greke në brendësi të çantave të braktisura. Episode të tilla nuk janë të rralla në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë –ku vetëm në katër muajt e parë të vitit 2021 janë bllokuar dhjetëra kilogramë kanabis me autorë të panjohur.

Shqipëria është vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që mikpriti oficerët e Frontex për të menaxhuar kufijtë e vet, ndërsa 71 anëtarë të Agjencisë së BE-së gjenden aktualisht të dislokuar në qarqet kufitare të Gjirokastrës dhe Korçës.

Misioni kryesor i Frontex në Shqipëri lidhej me frenimin e emigracionit të paligjshëm, por trafikimi ndërkufitar i kanabisit vazhdon të mbetet një nga shqetësimet kryesore.

Fqinji jugor i Greqisë është destinacioni i dytë pas Italisë i sasive të mëdha të kanabisit që prodhohen në Shqipërisë me 1.5 ton bimë narkotike të sekuestruara gjatë vitit 2020. Raportet vjetore të policisë greke vlerësojnë se gati gjysma e kanabisit të sekuestruar atje ka origjinë shqiptare, ndonëse sasitë e sekuestruara kanë pësuar rënie vit pas viti që prej kulmit të shënuar në vitet 2016-2017.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se rritja e bashkëpunimit mes policisë greke dhe asaj shqiptare dhe përforcimit të kontrolleve nga Frontex i ka shtyrë trafikantët shqiptarë të eksplorojnë rrugë të reja dhe mënyra të ndryshme të trafikimit –duke zëvendësuar mushkat e dikurshme me korrierë të rinj të moshë, të cilët janë të gatshëm të sakrifikojnë në këmbim të vlerave monetare.

Në fshatin Peshkëpi e Sipërme në kufi me Greqinë, korrierët e kanabisit ngatërrohen shpesh me refugjatët nga Lindja e Mesme. “Ishin djem të rinj, vinin më parë me çanta të mëdha, dukeshin si refugjatë,” thotë Mihali, banor i zonës, ndërsa shton se kohët e fundit nuk ka parë më të tillë.

“Në fillim kjo punë nisi me mushka, pastaj i zbuluan ata të policisë dhe e nisën me këmbë,” theksoi i moshuari. Kufiri Greko-Shqiptar përcaktohet nga të ashtuquajturat “piramida”, të cilat lidhen me seksione të drejta imagjinare dhe nuk ka asnjë pengesë për kalimin nga njëri vend në tjetrin.

Lexo edhe :   Propagandë provokuese turke kundër Greqisë dhe kërcënime me luftë

Policia greke ka identifikuar fshatrat malorë grekë të Thesprotisë në kufi me Sarandën, të Konicës në kufi me Përmetin si dhe zonën e Delviqanit në kufi me Gjirokastrën si ‘portat’ kryesore hyrëse të kanabisit shqiptar në Greqi.

Ndërsa dy patrulla me oficerë të Frontex dhe ata shqiptarë kontrollojnë përmes dylbive zonën në afërsi të fshatit Glinë, territori mbetet mjaft i gjerë për t’u mbajtur nën kontroll, sidomos gjatë orëve të natës.

Një oficer i Antidrogës, që foli me BIRN me kushtin e anonimatit, tha se fotot e postuara së fundmi nga Frontex ishin të ngjashme me shumë raste të tjera të sekuestrimit të kanabisit, si në anën shqiptare ashtu edhe atë greke.

Lexo edhe :   Propagandë provokuese turke kundër Greqisë dhe kërcënime me luftë

“Çantat janë në ngjyrë të zezë, që të mos pikasen gjatë natës nga oficerët e kufirit me dylbi dhe janë gjithashtu të mëdha, pasi marrin 40-60 kilogramë dhe i rezistojnë shiut në shumicën e rasteve,” tha oficeri. “Edhe lënda narkotike e bllokuar është e paketuar dhe e mbështjellë me natriban për t’i rezistuar qëndrimit në shi apo në diell,” shtoi ai.

Oficeri shqiptar i antidrogës shtoi gjithashtu se trafikantët e drogës po rekrutonin djem të rinj, të cilët e marrin përsipër rrezikun për shuma të vogla parash –që sipas tij nuk i kalojnë 100- 200 euro për rrugë. “Kanabisi trafikohet nga të rinj që jetojnë në fshatrat shqiptarë buzë kufirit apo të ardhur nga zona të tjera, por që i njohin mirë udhëkalimet,” shpjegoi punonjësi i policisë, që ka mbuluar më parë territorin kufitar të Sarandës.

Ai theksoi se pavarësisht arrestimeve dhe kontrolleve të përbashkëta, një pjesë e tyre arrijnë sërish të depërtojnë në Greqi, pasi policia ka pak mjete në dispozicion për të kontrolluar të gjithë vijën e gjelbër.

Hetimet e zhvilluara nga policia shqiptare apo ajo greke tregojnë se trafikimi me korrierë është vetëm njëra prej formave të trafikimit të kanabisit në drejtim të Greqisë. Raportet tregojnë se paralelisht vazhdon trafikimi me automjete të vogla apo me kamionë tregtarë, të cilët nuk ngjallin shumë dyshime te policia greke. Trafikimi i kanabisit përmes kufirit të gjelbër me Greqinë është bërë shpesh burim konfliktesh mes grupeve të ndryshme kriminale – duke futur në veprim edhe armët. “Në varësi të ngarkesës, [korrierët] shpesh e kryejnë këtë transport në grup me dy a tre vetë,  ku njëri prej tyre ruan ngarkesën i armatosur me kallashnikov,” tha oficeri i antidrogës për BIRN. “Ka ndodhur më parë që grupet e trafikut të drogës janë përplasur apo i grabisin njëri-tjetrit kanabisin, ndaj e ruajnë me armë,” përfundoi ai.

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Sherr mes adoleshentëve në Tiranë, plagoset 17-vjeçari

Një sherr për konflikte të dobëta ka ndodhur në zonën e Laprakës, në Tiranë. Një 17-vjeçar me inicialet A. S., ka përfunduar në spital...

Mbi modelin Ramiz Alia

Nga: Genc Pollo Në 31 mars 1991, katër muaj pas themelimit të Partisë Demokratike, u mbajtën zgjedhje parlamentare, të cilat, për herë të parë mbas...

Fuste në vend mallra “si ndihmë humanitare”, procedohet përfaqësuesi i shoqatës

Dogana ka goditur një skemë mashtrimi. I referohemi një rasti me mallra të importuara “si ndihmë humanitare”. Nga skema e ngritur, përfaqësuesi ligjor i...

Ringjall fantazmën Millosheviç/Meta sulmon ‘Open Balkan’ dhe ‘shigjeton’ Ramën

Nisma e "Ballkanit të Hapur" nga Prishtina është sulmuar nga kreu i shtetit, Ilir Meta. Për të, kjo nismë rivalizon procesin e Berlinit dhe...

“VIDEO 3D” e aksidentit në Bullgari, si u përplas autobusi

Në mediat maqedonase është publikuar një video 3D ku tregon skenën si ndodhi aksidenti tragjik me 46 të vdekur në Bullgari. Aktualisht ka komente...