Koronavirusi, shkon në 400 mijë numri i personave të vaksinuar në Shqipëri

Ndërsa procesi i vaksinimit vijon me ritme mjaft të shpejta, numri i personave që janë vaksinuar deri më tani ka shkuar në 400 mijë. Shifra u bë e ditur nga Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Duket se vendi është në këtë mënyrë drejt arritjes së objektivit të deklaruar nga qeveria për vaksinimin e gjysmë milioni shqiptarëve deri në fund të muajit maj.

Ndërkohë, ka përfunduar vaksinimi për disa prej kategorive të punonjësve të shërbimeve kritike, si bluzat e bardha, arsimtarët, uniformat blu e punonjësit e medias.

Kurba e koronavirusit në vend mbetet e qëndrueshme, pasi 24 orët e fundit janë regjistruar 139 raste të reja, nga 3.457 testime të kryera.

Ndërkohë, 5 persona nuk arritën ta fitonin betejën me virusin vdekjeprurës. Viktimat janë të moshave 63 – 77 vjeç.