Shqipëria ka regjistruar sot numrin më të ulët të rasteve të reja të konfirmuara me COVID-19. Nga 182 teste të kryera, kanë rezultuar pozitiv vetëm 6 raste të reja, duke çuar në total numrin e të infektuarve në 383.
Bilanc pozitiv ka pasur edhe numri i të shëruarve. Gjatë 24 orëve, 15 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 131.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, rezultat i këtij bilanci të ulët të rasteve është hetimi epidemiologjik dhe gjurmimi i rasteve. “Siç shihet, sot kemi një ulje të ndjeshme të numrit të rasteve të prekurve nga COVID-19, që tregon se hetimi epidemiologjik dhe gjurmimi i rasteve të reja apo kontakteve të tyre ka funksionuar në mënyrën e duhur, dhe është kryer sipas protokolleve të përcaktuara.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Siç e tregojnë edhe shifrat e ditëve të fundit, ku ka raste brenda të njëjtës familje, është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, për të parandaluar transmetimin e COVID-19”.