Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis iu ka kërkuar zëvendësministrave dhe deputetëve të partisë “Demokracia e Re”, të japin 50 % të pagës së tyre në luftën kundër Covid-19.
Kjo kërkesë e kryeministrit grek vlen për 2 muaj e ardhshëm, pasi situata nga koronavirusi në vend po përkeqësohet dita ditës.
Deri më tani në shtetin fqinj janë shënuar 42 viktima nga virusi Covid-19. Viktima e fundit është një pacient nga Kosturi, i cili bëhet personi i gjashtë që humb jetën në këtë zonë.
Në Greqi janë regjistruar 1,061 raste infektimi me koronavirus, ndërsa 66 pacientë raportohen të jenë në gjendje të rëndë për jetën.
Mëngjesin e sotëm në Greqi mbërritën 1,7 milionë maska dhe materiale ndihmëse në luftën kundër virusit vdekjeprurës. Qeveria greke ka bërë me dije se brenda javës do mbërrijnë në vend, sasi prej 17 milionë maskash dhe materialesh ndihmëse.
Maskat dhe materialet, janë dhuratë nga fondacioni Onasis.