Sot ka nisur shpërndarja e fletëve dhe kutive të votimit për 30 qershor nga KQZ-ja për në KZAZ-të. Materialet zgjedhore në Korçë janë transportuar me makina të ushtrisë dhe policisë.
Mësohet se materialet zgjedhore janë vendosur në dy KZAZ, atë 72 dhe 73 në Korçë, e gjithashtu edhe në KZAZ-në e Maliqit.
Këto materiale zgjedhore janë shpërndarë me automjetet e ushtrisë, për të siguruar që nuk do të ketë incidente në shpërndarjen e tyre nëpër KZAZ.
Më herët, Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme Arta Marku, firmosi urdhrin për prokurorët, për masat administrative dhe proceduriale që duhet të merren për zgjedhjet. Qëllimi i urdhërit “është verifikimi i integritetit të kandidatëve ashtu edhe ndjekja penale ndaj autorëve që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve apo që cënojnë procesin zgjedhor”.
Mes të tjerash, në udhëzimin që mban firmën e Markut, saktësohet se “Prokurorët janë në gatishmëri se bashku me oficerët e policisë gjyqësore, nga ora 07:00 e mëngjesit deri në 22:00 të darkës”.