Plani i Kryeministres Theresa May për të miratuar në parlament marrëveshjen për daljen e Britanisë nga BE-ja, mori një tjetër goditje të premten.
Sipas një sondazhi të kompanisë “YouGov”, shumica e anëtarëve të partisë së saj e kundërshtojnë marrëveshjen dhe preferojnë të largohen nga unioni, pa një të tillë.
Nëse ligjvënësit nuk e miratojnë atë, ekonomia e pestë në botë është drejt rrugës për t’u larguar nga Bashkimi Evropian më 29 mars, pa marrëveshje.
Ky skenar do të ishte një makth për shumë biznese të mëdha që i druhen ndërprerjes së tregtisë.
Zonjës May i duhen 318 vota për miratimin e marrëveshjes që ka arritur me Brukselin në muajin nëntor.
Por 117 nga 317 ligjvënës të partisë së saj Konservatore, votuan kundër zonjës May në një mocion besimi të zhvilluar në 12 dhjetor.
Kjo do të thotë se kryeministres britanike i nevojitet mbështetja e disa prej 257 ligjvënësve të partisë Laburiste në opozitë. Por këta të fundit janë shprehur se nuk do ta mbështesin marrëveshjen.
Sondazhi i së premtes i kompanisë YouGov ofroi një panoramë të sfidës me të cilën përballet zonja May.
Vetëm 38 për qind e të anketuarve nga YouGov thanë se e mbështesin marrëveshjen.
Nga ana tjetër ekonomia britanike po tregon shenja të qarta ngadalësimi. Kompanitë e shërbimeve njoftuan për pesimizëm të konsumatorëve sikurse në kohë krize.