Kompania kineze nxjerr në shitje syzet që masin temperaturën nga distanca

Matja e temperaturës tashmë është kthyer si një shërbim që i bën vetes, duke marrë sinjalet e trupit nëse je i infektuar me koronavirus. Virusi vdekjeprurës ka ‘ngritur në këmbë’ kompanitë më të mëdha, e në këto kohë pandemie edhe fitimet kanë qenë kolosale për shumë prej tyre. Duke përfituar nga situata, një kompani ka shpikur një palë syze, të cilat masin temperaturën nga distanca.

Për të ndihmuar në luftën kundër Covid-19, “Rokid Inc” ka ndërtuar dhe prodhuar një palë syze, që ndihmojnë në skanimin e personave për simptoma. Zv.presidenti i kompanisë, Xiang Wenjie, thotë se syzet T1, të ndërtuara për vetëm dy javë, janë shumë të kërkuara.

Deri tani janë shitur 1000 copë tek autoritetet shtetërore, por edhe nëpër shkolla. Ai ka thënë se syzet masin temperaturën në distancë. “T1 mund të masë temperaturën në distancë, ç’ka është një ndihmesë e madhe”, tha Xiang për ‘Reuters’.

Kjo do të thotë që ata që i mbajnë këto syze, do kenë mundësi të indentifikojnë personat që kanë temperaturë.

Të pajisura me sensorë me rreze infra të kuqe dhe kamera, syzet lejojnë personin që i mban, të shohë temperaturën e njerëzve. Kompania thotë se po punon gjithashtu për një model të ri, me të cilin mund të matet temperatura e disa njerëzve njëkohësisht.