Komiteti i Ekspertëve lë në fuqi kufizimet, maturantët në klasa

Komiteti i Ekspertëve vendosi sot për rikthimin në shkollë të maturantëve, teksa mbeten në fuqi masat e vjetra anti-covid.

Gjatë fjalës së saj, kryetarja e Komitetit, Mira Rakacolli u shpreh se duke u bazuar në shifrat e SARS-COV2 në moshat 15-20 vjeç, maturat të fillojnë mësimin në klasë.

Ajo tha se masat kufiziuese do të vendosen në varësi të vijimësisë së ecurisë epidemiologjike.

Mira Rakacolli: “Mendoj që masat e propozuara për t’u rishikuar të rishikohen në një afat tjetër. Duke u bazuar në shifrat e SARS-COV 2 në moshat 15-20 vjeç, maturat të fillojnë mësimin në klasë. Është një masë vijimësia e të cilës do të kushtëzohet nga shifrat që do të monitorohen. Maturat duhet të zbatojnë me shumë rigorozitet protokollet e sigurisë për mbrojtjen.

Masat e tjera do të mbeten njëlloj, siç është ora policore nga ora 20:00-06:00. Baret e restorantet do të punojnë deri në orën 20:00 dhe njëkohësisht mësimi do të vazhdojë online për të gjitha pjesët e tjera të sistemit arsimor”.

Masat që mbeten në fuqi:

Vendi do të mbyllet gjatë fashës orarë 20:00-06:00. 

Qytetarët nuk lejohet që të levizin gjatë kësaj fashe orare.

Përjashtim bëjnë rastet e emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune. Në rastin e fundit duhet të keni lejen e posaçme.

Gjatë kësaj faze orare nuk lejohet aktiviteti i bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit. Përjashtim bëjnë shërbimet delivery.

Shkollat e mesme në zonat e riskut të lartë vijojnë online përveç maturantëve.

Universitetet do të vijojnë me mësimin online.

Fluturimet me Britaninë e Madhe mbeten të pezulluara.