Komisioni Ad Hoc për ngritjen e institucioneve të reja të Reformës në Drejtësi ka përjashtuar nga gara kandidatin Altin Hazizaj.
Ky i fundit ishte kandidat për KLGJ nga radhët e Shoqërisë Civile. Përjashtimi i Hazizajt u votua pro me 3 vota nga anëtarët e Partisë Socialiste, ndërsa opozita nuk mori pjesë në votim, edhe pse ishte ajo që denoncoi se Hazizaj kishte fshehur në formularin e vetëdeklarimit një dënim të hershëm.
Më herët, Altin Hazizaj iu përgjigj akuzave të PD-së se nuk përmbush kriteret, teksa shkroi në një reagim në Facebook:
“Ka çështje që nuk duhen bërë asnjëherë politike. Kam aplikuar për të ndryshuar drejtësinë, jo për politikan”.
Pavarësisht se si ka ndodhur ngjarja në fjalë, ligji i dekriminalizmit e bën të qartë se duhet deklaruar në formular nëse personi është i dënuar më parë, gjë që Hazizaj nuk e ka bërë.
Ai i është përgjigjur me “Jo”, pyetjes nëse ka qenë ndonjëherë i dënuar me vendim të formës së prerë nga një autoritet gjyqësor shqiptar apo i huaj, gjë që u denoncua nga Partia Demokratike.
Hazizaj dorëzoi para pak ditësh në Kuvend një kërkesë, lidhur me akuzat e opozitës se ka gënjyer në formularin e vetëdeklarimit të Dekriminalizimit. Në këtë letër, Hazizaj sqaronte se është mbajtur vetëm 43 orë në paraburgim dhe më pas është liruar.
Po ashtu, ai përmendte paraqitjen e një avokati, tek i cili hedh dyshime, teksa shkruan se ai është paraqitur si i caktuar nga gazeta ku Hazizaj punonte, por nuk ka verifikuar në asnjë moment kredencialet e tij.
“Unë jam takuar me avokatin rreth 20 minuta përpara seancës gjyqësore te vlerësimit të masës së arrestit në mjediset e Gjykatës së Tiranës”, shkruhet në letrën drejtuar sekretari Genc Gjonçaj.
Me tej, Hazizaj shprehej se në asnjë moment nuk i ishte komunikuar ndonjë akuzë e mundshme ndaj tij, ndërsa shtonte se ka udhëtuar jashtë shtetit për qëllime studimi, por sërish nuk ka pasur asnjë problem për kalimin në kufi.
Duket se justifikimi i Hazizajt nuk ka qenë i mjaftueshëm për mazhorancën, e cila vendosi të votojë pro përjashtimit nga gara të Hazizajt për KLGJ-në.