Lidhur me vetëflijimin e një familje në Kombinat, kunati i viktimës ka përcjellë të dhëna shokuese. Kunati i Zhaneta Josifit, 56-vjeç, e cila u gjet e vdekur, ka zbuluar se kishte një vit që nuk e takonte Anisën, vajzën e madhe që sipas policisë kishte 5 muaj që kishte vdekur.
Sotiri ka thënë jashtë kamerës për “News24” që kunata me vajzën tjetër nuk e kishin lënë të takonte Anisën, duke thënë se nuk e kishte mbushur afatin për të dalë. Madje kunata i ka thënë më tej se nëse ai do ta shihte Anisën, atëherë do e ndëshkonte Zoti. “Kishte një vit që nuk e takoja Anisën. Kur kam shkuar në shtëpi, kunata dhe vajza tjetër më kanë thënë që se ka mbushur ende afatin për të dalë, dhe nëse unë do e shihja Anisën e ndëshkonte Zoti”, ka deklaruar kunati.
Ai tregoi se familja Josifi ishin praktikantë prej vitesh, dhe kontaktin e parë me këtë sekt e kanë marrë në Përmet, ndërsa më vonë frekuentonin një qendër tek “Selvia”. Kunati ka deklaruar po ashtu se iu ka kërkuar që të hiqnin dorë nga praktikat e këtij sekti, pasi bënin sakrifica shumë të mëdha dhe madje ka shkuar dhe në polici dhe Bashki. Këto ankesa kanë bërë edhe që mes Zhanetës dhe motrës së saj të lindnin konflikte.
Anisa Josifi ka ndërruar jetë disa muaj më parë. Nëna e ndihmuar nga e bija, ia lyenin trupin me solucion, (vaj dhe uthull) për të vonuar procesin e dekompozimit, ndërsa e mbulonin atë me shumë kuverta, për të shmangur dhe erën e rëndë. Por duke kaluar shumë kohë, (mendohet rreth 5 muaj) fqinjët janë alarmuar nga era e rëndë që ndihej, por nuk mendonin se në pallat kishte një njeri të pajetë, pasi dyshonin se ishte për shkak të tubacioneve. Ata kishin njoftuar edhe Bashkinë për këtë çështje.