Koha që Kosova të sigurojë pavarësinë e saj të vërtetë

Nga: Dr.Alon Ben-Meir “Eurasia Riview”

Asnjë i huaj nuk duhet që t’i këshillojë qytetarët e Kosovës se për kë të votojnë në zgjedhjet parlamentare të së dielës, dhe sigurisht që unë nuk guxoj ta bëj një rekomandim të tillë. Gjithsesi, çdo qytetar kosovar duhet të kërkojë që secili individ që garon në këto zgjedhje të ketë një program të qartë dhe gjithëpërfshirës socio-ekonomik, i cili ta vendosë publikun në një kurs të rimëkëmbjes dhe rritjes ekonomike, së bashku me reformat sociale dhe politike. Programe të tilla kanë munguar që nga themelimi i Kosovës si shtet në vitin 2008. Edhe pse edhe vendet e konsoliduara përballen vazhdimisht me sfida të reja, një shtet i sapolindur përballet me sfida edhe më të mëdha në gati çdo fushë të jetës.

Për këtë arsye në vende të tilla duhen ide të forta, vizionare dhe udhëheqës të përkushtuar që janë në lartësinë e sfidave. Mjerisht në Kosovë, qeveritë e njëpasnjëshme kanë dështuar në testin e kohës. Dhe 13 vjet pas themelimit të tij, ky vend përballet ende me kriza të shumta që kërkojnë vëmendje emergjente.

Kështu, secili nga votuesit duhet të kërkojë përgjigje nga ata që kërkojnë poste të larta zyrtare,në lidhje me planet e tyre për të adresuar problemet që e mundojnë vendin. Për shembull, meqë Kosova po vuan nga papunësi e madhe, që varion nga 25-30 për qind të popullsisë së aftë për punë, çfarë lloj programi zhvillimi ka ndonjë nga partitë garuese për të stimuluar ekonominë?

Si kanë menduar ata që ta modernizojnë sektorin e prodhimit? Si do ta riorganizojnë tregtinë? Çfarë hapash do të ndërmarrin ata për ta bërë vendin të pavarur në aspektin e energjisë? Dhe në çfarë mënyre mund t’i përdorë Kosova burimet e saj natyrore, veçanërisht argjendin, plumbin dhe një mori mineralesh, për të siguruar një fitim neto nga tregtia e tyre, duke e bërë Kosovën shumë më pak të ndërvarur nga ndihma e huaj, e cila vjen zakonisht vjen me kushtëzime të ndryshme?

Së fundmi, meqenëse pandemia e koronavirusit ka një efekt direkt në ekonomi, qeveria e re duhet të marrë të gjitha masat e nevojshme, për ta adresuar këtë sfidë shumë të frikshme kombëtare. Largimi i trurit nga Kosova, ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga problemet më shqetësuese nga të cilat vuan vendi.

Të rinjtë dhe të rejat që mezi arrijnë të kenë qasje në arsimin e lartë, përfundojnë duke u larguar nga vendi për shkak të mungesës së mundësive për punë. Sigurisht, progresi ekonomik lidhet drejtpërsëdrejti me këtë problem të dhimbshëm.

Ndaj është thelbësore të trajtohet urgjentisht ky fenomen. Qeveria e re, duhet të angazhohet për krijimin e vendeve të punës për të rinjtë dhe të rejat, sidomos në sektorët e teknologjisë së lartë dhe energjisë së pastër, duke e bërë atë tërheqëse për investitorët e huaj, por duke ruajtur ndërkohë interesat shtetërore.

Udhëheqësit e rinj, duhet të angazhohen për të ç’rrënjosur korrupsionin, që ka infektuar thuajse çdo institucion qeveritar, si dhe pjesën më të madhe të sektorit privat, dhe është kusht i panegociueshëm për të kultivuar besimin e qytetarit tek qeveria dhe kompanitë në sektorin privat.

Ryshfeti në Kosovë,cilësohet si një mënyrë jetese, pasi përdoret rëndom si një mënyrë për të mbaruar punë, për të marrë licenca të të gjitha llojeve, për të dalë nga telashet me policinë, apo për të shkëmbyer favore në këmbim të mbulimit të një shumëllojshmërie shkeljesh, etj.

Lexo edhe :   Emra të rinj, qëndrime të vjetra - Raport për Kosovën në OKB

Mungesa e transparencës dhe përgjegjësisë, e bën ryshfetin një mjet të natyrshëm dhe mënyrën më të shpejtë për të arritur qëllimin përfundimtar të dikujt. Ndërkohë, qeveria e re duhet të zotohet që të formojë një komision të etikës, të drejtuar nga Inspektori i Përgjithshëm i vendit dhe i përbërë nga njerëz me reputacion publik, për të hetuar pa njoftim paraprak çdo Agjenci qeveritare apo private.

Nëse investitorët e huaj largohen për shkak të korrupsionit, Kosova ka pak shanse për të arritur rimëkëmbjen ekonomike pa investime të huaja. Reformat sociale dhe politike janë fushate tjera, të cilave qeveria e re duhet që t’i kushtojë një vëmendje të veçantë.

Si një vend që synon integrimin në Bashkimin Evropian, Kosova duhet t’i marrë seriozisht këto reforma, dhe t’i përmbahet plotësisht vlerave perëndimore. Liria e shtypit duhet të garantohet me çdo kusht, të drejtat e njeriut duhet të jenë të shenjta, shkelësit e tyre duhet të përballen me barrën e ligjit, gjyqësori duhet të gjykojë gjithë shkelësit pa përjashtim.

Gjithashtu, duhet të zbatohet një taksim i drejtë, politikanët duhet të bëjnë publike pasuritë dhe borxhet e tyre, dhe së fundmi, qeveria duhet ta informojë publikun për përparimin apo mungesën e tij në të gjitha fushat. Për më tepër, qeveria nuk duhet të lejojë që fuqitë e huaja, sidomos Turqia, të ndikojnë në reformat shoqërore dhe politike të Kosovës, pasi ambicia e Erdoganit është që ta nënshtrojë Kosovën ndaj axhendës së tij personale politike.

Së fundmi, publiku duhet të kërkojë që qeveria të jetë mjaftueshëm e qartë mbi politikën e saj ndaj Serbisë, dhe të deklarojë publikisht nëse ka ndonjë rrugë që mund të çojë në normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin. Qeveria duhet të angazhohet, që të mos fillojë asnjë negociatë, në rast se Serbia nuk e njeh Kosovën si një shtet të pavarur.

Objekti i negociatave duhet të jenë vetëm qëndrimet e ndryshme mbi territorin, furnizimin me ujë, tregtinë dhe çështje të tjera të këtij niveli. Për më tepër, për sa kohë që SHBA nën presidentin Xho Bajden dhe BE-ja janë të angazhuara për pavarësinë e Kosovës, ato mund të ushtrojnë ndikim më të madh mbi Serbinë që kjo e fundit ta ndryshojë pozicionin e saj, veçanërisht tani që Vladimir Putini, që ka ushtruar një ndikim të padrejtë tek Serbia, është në telashe brenda dhe jashtë vendit me Bajdenin si president amerikan.

Sigurisht, publiku i Kosovës tani mund të ushtrojë fuqinë e tij elektorale për të kërkuar trajtimin e të gjithave sa u thanë më lart, dhe çështjeve e tjera shqetësuese, nga partitë politike konkurruese,duke e bërë të qartë se vota e tyre, nuk mund të merret më si e mirëqenë. Ata që duan të arrijnë në majën e pushtetit, duhet të kuptojnë se ata duhet ta përdorin fuqinë e tyre për t’u shërbyer njerëzve, dhe jo për të shfrytëzuar ata që i dhanë atë pushtet.

Burimi i lajmit: https://www.eurasiareview.com/10022021-time-for-kosovo-to-secure-its-true-independence-oped

Përshtatur nga TIRANA TODAY