Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka folur rreth ngritjes së SPAK dhe betimit të 8 anëtarëve të këtij institucioni.
Përmes një postimi në Facebook, Kryemadhi u shpreh se fillimi i aktivitetit të SPAK është moment shpresëdhënës se në Shqipëri do të nisë seriozisht puna për ndëshkimin e pandëshkueshmërisë.
Sipas saj, ngritja e këtij institucioni do sjellë një erë të re në garantimin e sigurisë juridike për qytetarët e thjeshtë.
Postimi i plotë:
Përshëndes krijimin e SPAK si një zhvillim i rëndësishëm i pritur prej kohësh i Reformës në Drejtësi.
Fillimi i aktivitetit të SPAK është moment shpresëdhënës se në Shqipëri do të nisë seriozisht puna për ndëshkimin e pandëshkueshmërisë dhe për sundimin e ligjit.
Ne besojmë që një nga institucionet më të rëndësishme të drejtësisë do të veprojë i pandikuar nga presioni i çfarëdolloj dhe i pandikuar nga politika. Ngritja e Strukturës së Posaçme dhe Byrosë së Hetimit do sjellë një erë të re në garantimin e sigurisë juridike për qytetarët e thjeshtë dhe për barazinë përpara ligjit. Koha e “të fortëve”, kriminelëve me pushtet apo të mbrojtur nga pushteti, ka mbaruar.
Me këtë rast përshëndes dhe angazhimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë, SHBA dhe BE, për mbështetjen e vazhdueshme për krijimin e kësaj strukture kaq të rëndësishme për drejtësinë në Shqipëri dhe për integrimin e saj në Bashkimin Evropian.