Pas kryeministrit Edi Rama, një reagim është përcjellë edhe nga deputeti i zgjedhur i PS-së, Petro Koçi për “Ballkanin e Hapur”. Me anë të një statusi në Facebook, deputeti thotë se vënia në shërbim të ish-kryeministrit Sali Berisha nga ana e Vetëvendosjes, ndërkohë që ai është shpallur “non grata” nga SHBA-ja, nuk është një shenjë e mirë. Koçi shprehet më tej se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk mund ta shpëtojë dot Berishën.
Statusi
KOSOVA DHE SHQIPERIA JANE KRAHET E TE NJEJTES SHQIPONJE!
Vetezhvendosja eshte e lire te perzgjedhe aleatet e saj. Por venia ne sherbim te Sali Berishes, kur ky sapo eshte shpallur non grata nga SHBA bie ere te keqe. Patriotizmi i stermundimshem per tu marre me nje Bregovic nuk e shpeton Saliun. Nuk e fshin faktin qe ndermarrja Shqiponja e PD kreu trafik karburanti me ish Jugosllavine e Milloshevicit sipas marreveshjes Berisha-Bullatovic. Nuk e fshin dot faktin qe Berisha e quajti tradheti kombetare firmosjen ne Rambuje.
Kosova dhe Shqiperia jane krahet e te njejtes shqiponje. Te asaj brenda flamurit kuqezi. Pa Shqiperine Kosova eshte e humbur. Per Shqiperine Kosova eshte garancia me rendesishme strategjike. Shqiperia dhe Kosova pa SHBA dhe BE nuk i realizojne dot aspiratat dhe interesat kombetare. Prandaj eshte mire qe Vetezhvendosja ti kthehet te ardhmes se interesit tone kombetar. Dhe jo te shkuares non grata. Aleanca me Berishen eshte kompromentuese. Te behet Vetevendosje!
Sakaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar gjatë një aktiviteti të zhvilluar në Shkup. Kurti në mesazhin e tij shprehet se e rëndësishme është që dy vendet të jenë pranë njëri-tjetrit, duke u koordinuar dhe punuar për projekte të përbashkëta. Gjatë fjalës së tij Kurti theksoi se kohë të mira po vijnë për shqiptarët edhe për fqinjët tanë, sepse sipas tij, partnerët e mëdhenj janë më të vendosur se kurrë për të ndihmuar në luftën për drejtësi e demokraci, por edhe kundër ndikimeve negative ruso-kineze në shtetet tona, por edhe në rajon. “Jam i sigurt se shqiptarët, në të gjitha shtetet ballkanike ku jetojmë e veprojmë, nuk do ta humbim këtë moment të rëndësishëm historik”, tha kryeministri.
Në datën 29 korrik, në Shkup u takuan kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Të tre liderët ftuan vendet e rajonit që t’i bashkohen nismës së “minishengenit”, që u pagëzua me emërtimin e ri “Ballkani i Hapur” dhe ka si qëllim të krijojë një treg të përbashkët për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Në takim përveç emrit të ri të “minishengenit”, u firmosën edhe 3 marrëveshje lidhur me qarkullim e lirë në tregun e punës, eliminimi i barrierave për importin dhe eksportin e mallrave si dhe mobilizimin e të tria vendeve në rast të katastrofave natyrore.