E hënë, 6 Dhjetor, 2021
9.5 C
Tirana

Klosi i zbardh skandalet Berishës

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, i cilëson shpifje akuzat e ish-kryeministrit Berisha në drejtim të tij. Në studion e emisionit “Opinion”, Berisha deklaroi se i tërheq akuzat ndaj Fatos Nanos për përfshirje në vrasjen e Azem Hajdarit, ndërsa deklaroi se është i bindur 100 për qind se ka gisht në këtë mes zoti Klosi. Gazeta iu drejtua dje këtij të fundit dhe në një intervistë, Klosi tregon se kush ka pasur realisht dorë në vrasjen e Hajdarit. Sipas tij, Berisha është ai që kishte interes në këtë mes. Më tej, Klosi ka deklaruar se Berisha tenton t’ua hedhë fajin të tjerëve për krimet që ka bërë vetë.

 -Zoti Klosi, ditën e enjte në emisionin “Opinion”, ish-kryeministri Sali Berisha ju ka sulmuar ashpër. Duke folur për marrëdhëniet e tij me ish-kryeministrin Nano dhe akuzat ndaj tij për vrasjen e Azem Hajdarit, ai u shpreh: “E kam akuzuar në fillim (Për vrasjen e Azem Hajdarit). Sot nuk mund ta them se ai ishte. Kur them 100% për Fatos Klosin dhe Skënder Gjinushin, nuk them dot për Fatos Nanon”. Keni një përgjigje për sulmet ndaj jush?

Çfarë karagjozi! Atëherë, më lejoni të hyjë në temë të pyetjes suaj. Unë mendoj dhe kam bindjen e plotë se fajtori kryesor për vrasjen e ish-deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari është Sali Berisha. Dhe kjo nuk ka asnjë diskutim. Saliu gjithë jetën e tij është dashur dhe ka përdorur lloj-lloj trukesh për t’u justifikuar dhe të gjejë autorë të tjerë për të larguar përgjegjësinë nga vetja. Por i vetmi njeri që kishte interes për të eliminuar Azem Hajdarin ishte Sali Berisha. As ish-kryeministri Fatos Nano, nuk kishte interes që të eliminonte ish-deputetin Hajdari, por Nano kishte vetëm përgjegjësi që gjërat të vinin sa më mirë, dhe nuk e shqetësonte fare Azem Hajdari. Kjo vlen edhe për Skënder Gjinushin, që nuk kishte interes që të eliminonte Azem Hajdarin. Ndërkohë që, për mua sa më pak. Pasi unë si Fatos Klosi nuk kam pasur asnjë lidhje me Azem Hajdarin dhe nuk më interesonte fare eliminimi i tij. Madje, Azemi më pëlqente se ishte djalë trim, por vetëm kaq. Ndërsa njeriu që e ka pasur pengesë, shqetësim, dhe e ka konsideruar si rrezik Azem Hajdarin ishte Sali Berisha. Madje, Saliu e ka dënuar disa herë Azemin dhe këtu e theksoj, e ka përjashtuar nga KPD e tyre në PD. Kështu që, nga kjo pikëpamje vrasja dhe eliminimi i Azem Hajdarit i interesonte vetëm Sali Berishës.

-Pse sipas jush një gjë e tillë i interesonte vetëm Berishës?

Shiko! Po të shikosh rrjedhjen e ngjarjeve, Sali Berisha kishte frikë se Azem Hajdari do t’i zinte vendin atij. Dhe po ta shikosh nga kjo pikëpamje, pa hyrë në detaje, i vetmi njeri që ishte i interesuar në Shqipëri për të eliminuar Azem Hajdarin dhe e kishte problem këtë të fundit ishte Sali Berisha. Kaq. Nga ana tjetër, duke qenë se Sali Berisha në intervistë ka thënë se iu qëndron 100% akuzave për Fatos Klosin le të shkojë në Prokurori. Por Sali Berisha duhet ta merrni vesh një herë e përgjithmonë që e ka pasur dhe e ka akoma, ku për këtë më vjen keq që Saliu është edhe plak dhe nuk po mërzitet, pra që ka pasion mashtrimin. Sali Berisha është një mashtrues ordiner. Kështu që, në qoftë se ka mashtrues në politikën shqiptare, pa diskutim ky është Sali Berisha. Berisha është kampion i mashtrimit dhe gjithë të zezave që i kanë ndodhur këtij vendi. Si përfundim që t’i vëmë kapak kësaj pune, më i interesuari në Shqipëri për të eliminuar Azem Hajdarin, ishte Sali Ram Berisha.

-Berisha u ndal te kjo çështje, pasi po fliste për “21 Janarin”. Ai u shpreh se në Shqipëri ka pasur dy grushte shteti, ku njëri sipas tij, ka ndodhur në 1997 (protesta pra Presidencës) dhe i dyti në 21 janar të vitit 2011…

Të gjitha këto janë gënjeshtra. Shiko. Si në rastin e ‘97-tës dhe 21 janarit të 2011-ës dua të them se nuk kemi të bëjmë fare me grusht shtetit. Por më lejoni t’i kujtoj Sali Berishës, po 14 shtatori i vitit 1998 çfarë të kujton? Kështu që, të ndalemi tek pyetja. Berisha ka përmendur ‘97, teksa e akuzon si grusht shtetit, por harron që asokohe nuk i hyri njeri në Presidencë, ndërkohë që ai ishte President i Republikës. Kjo vlen edhe për “21 Janarin” që Berisha e konsideron grusht shteti. Tani më dëgjo me vëmendje! Në qoftë se në historinë e këtyre 30 viteve demokraci që ata që protestonin kundër shtetit dhe kanë hyrë dhe i kanë përdhunuar të gjithë institucionet shtetërore, duke filluar nga Kuvendi i Shqipërisë, Kryeministrinë, Radio Televizionin Publik Shqiptar, ka qenë Sali Berisha me ithtarët e tij, në 14 shtator të vitit 1998. 14 shtatori i ‘98 ishte një grusht i pastër shteti, i përgatitur dhe gatuar nga Saliu dhe ithtarët e tij. Edhe në vitin ‘97 ka qenë një protestë popullore, por nuk u sulmuan institucionet shtetërore, asnjëherë, përveç në Vlorë, dhe në disa rrethe të tjera pas Vlorës, por jo në Tiranë. Institucionet qendrore të shtetit në këto dy raste që ka përmendur Sali Berisha nuk janë prekur fare, asnjë qime. Madje, as SHIK-u, ku godinat e këtij institucioni në ‘97 në të gjithë Shqipërinë u dogjën, por jo në Tiranë. Pra, nuk preku njeri. Kjo vlen edhe për rastin tjetër që përmend Saliu për “21 Janarin”, nuk u prek asnjë institucion. Kështu që, ta merrni vesh njëherë e përgjithmonë që institucionet janë përdhunuar vetëm në 14 shtator të vitit 1998 nga Sali Berisha dhe banditët e tij.

-Si shpjegohet që Berisha nuk shfaqi asnjë pendesë për 4 të vrarët në bulevard, madje, deklaroi se e meritonin dhe se nuk u vranë nga shteti?

Këto deklarata të Sali Berishës tregojnë hapur se ai është një mashtrues dhe një burrë maskara. Këto deklarata janë provat më të forta të maskarallëkut të Sali Berishës. Ky i fundit vazhdon edhe sot e kësaj dite të jetë një mashtrues, një njeri vërtet shumë negativ për këtë vend. Në 21 janar të vitit 2011 Berisha vrau pa mëshirë katër protestues të pafajshëm në mes të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. “21 Janarin” e bënë ish-kryeministri Sali Berisha dhe të tjerët më poshtë. Kështu që, nga kjo pikëpamje mendoj se duhet të vendoset drejtësi për “21 Janarin” dhe besoj se po të dojë drejtësia e re duhet ta zbardhë këtë çështje.

-Kemi 30 vite nga rrëzimi i regjimit dhe Berisha vijon të mbetet po i njëjti. Edhe pse PS e PD u ulën në tryezën e dialogut, ai deklaroi dje se rruga më e mirë do të ishte mosbindja civile. Pse ish-kryeministri kërkon vetëm dhunë e kaos?

Sali Berisha me deklaratat e tij që kërkon revolta dhe na paskërka thënë që duhet të rrethohet Kryeministria tregojnë se ai është çmendur. Por në qoftë se Saliu ka pushtet le ta rrethojë Kryeministrinë. Por më duket se Sali Berisha nuk është më protagonist dhe mund të bëjë vetëm gam-gam dhe mbase mund të mbledhë një taborë me banditë dhe të çmendur, por nuk ka më pushtet që të shkaktojë revolta. Kështu që, flini mendjen se Sali Berisha nuk ka më pushtet dhe bën gam-gam kot. Ore pushteti nuk u mor me dhunë, atëherë kur mund ta merrnin me dhunë Saliu dhe banditët e tij, nuk u mor dot. Pra, në një vend demokratik sikundër është Shqipëria, në një vend të NATO dhe që aspiron të hyjë në Bashkimin Europian, nuk ka rrugë tjetër që një parti të vijë në pushtet përveç zgjedhjeve dhe votës së popullit. Opozita po qe e zonja që të marrë pushtetin me votë, bravo i qoftë. Por në qoftë se ky popull vazhdon që t’i besojë Sali Berishës le ta marrë. Por Berisha ta harrojë se do ta rrëzojë pushtetin me dhunë. Saliu nuk e bëri këtë gjë në ‘98, ku i mori të gjitha institucionet shtetërore, ku policia u fsheh nëpër shtëpi. Policia që kishte detyrë që të mbronte Kryeministrinë kur Saliu dhe banditët e tij e morën me dhunë nuk e mbrojti dot. Edhe Grada e Republikës që bëri rezistencë, prapë nuk e mbrojti dot Kryeministrinë në 1998-tën. Në ‘98 Sali Berisha dhe banditët e tij morën edhe tanket e Gardës. Nga kjo pikëpamje Berisha i mori institucionet, por dështoi. Mund t’i marrësh institucionet sikundër ëndërron Berisha edhe sot. Po të nesërmen çfarë do të bësh? Do ta quash veten kryeministër?! Do ta shkarkosh Parlamentin?! Do të shpallësh zgjedhje të reja?! Asnjëra nga këto. Kështu që, këto janë vetëm deklarata të bëra nga Sali Berisha. Këto thirrjet për revolta janë deklarata të pastra që tregojnë se Saliu diku e ka hallin. Dhe nga kjo pikëpamje duhet marrë një psikolog për Berishën. Madje një psikolog që merret me mendjet e sëmura, sikundër është ajo Berishës.

-Duke e lënë pas ish-kryeministrin Berisha, një tjetër çështje aktuale është ajo e përplasjes mes qeverisë dhe presidentit. Si e shihni faktin që PS përveç shkarkimit, po i heq presidentit dhe të drejtën e betimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve?

Mirë është që të mos pengohet reforma në drejtësi. Tani në qoftë se e pengon presidenti Ilir Meta, mazhoranca duhet të mbajë tjetër qëndrim, sikundër janë këto nismat që thatë ju për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. Por nuk di të them më shumë dhe nuk besoj se e pengon presidenti reformën.

-Po nismën e kryeministrit Rama për atë që ai e quan KÇK si e shihni?

Shiko! Unë nismën e mazhorancës dhe deklaratat e kryeministrit Edi Rama për prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar apo të njohur ndryshe si “KÇK” i shikoj si pozitive. Kjo pasi mendoj se Edi e njeh më mirë situatën, duke qenë se i ka të gjitha mekanizmat për të kontrolluar këtë situatë, sikundër është Ministria e Drejtësisë që merret me këto punë. Kështu që, mendoj se çfarë propozon Rama dhe nisma e mazhorancës për të luftuar “KÇK” është në të mirën e punës. /Gazeta SOT

 

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

S’ka më sekrete/ Ja kur do të mbahet Festivali i 60-të i Këngës në RTSH

Edicioni i 60-të i Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar do të përfcillet LIVE për publikun shqiptar në mbrëmjet e 27,28 dhe 29...

Ekzekutimi i ish-deputetit, bashkëshortja nxjerr emrat dhe ndryshon dëshminë

Natalina Ujka, bashkëshortja e biznesmenit shkodran Pashko Ujka, ka treguar për grupin hetimor se personat me të cilët bashkëshorti i saj ka pasur konflikte...

Misteret e pazgjidhura të Luftës së Dytë Botërore

Ne të gjithë i duam misteret, dhe Lufta e Dytë Botërore siguroi shumë të tilla. Shkalla e madhe e luftimeve dhe e taktikave të tokës së djegur, solli...

Ish-banori i “Big Brother”: Donaldi nuk është fitues, mes çiftit s’ka dashuri

Ish-banori i “Big Brother”, Adi Pojana, teksa ishte i ftuar në studion e “Shqipëria Live”, ka komentuar lidhjen e shumëpërfolur mes Donaldit dhe Beatrix. Për...

“Shkelje financiare”, arrestohet presidenti i klubit italian

Presidenti i një prej klubeve të Serisë A është vënë në pranga, për shkelje financiare mes të cilave edhe deklarimin e falimentit të kompanive...