Kina nis lëshimin e certifikatave të vaksinimit kundër Covid-19

Kina nisi me lëshimin e certifikatave digjitale të vaksinimit kundër koronavirusit, teksa ato u ndahen qytetarëve të saj që planifikojnë të udhëtojnë jashtë vendit.

Certifikatat përmbajnë statusin e vaksinimit të një personi dhe rezultatet e testit të virusit.

“Certifikatat po shpërndahen për të ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike botërore dhe për të lehtësuar udhëtimet ndërkufitare”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze.

Aktualisht, certifikatat janë në dispozicion vetëm për qytetarët kinezë dhe ato nuk janë ende të detyrueshme.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania janë disa nga vendet e tjera që po shikojnë mundësinë e lëshimit të lejeve të ngjashme.

Edhe Bashkimi Evropian është duke punuar në të ashtuquajturat “pasaporta të vaksinës”, që do t’iu lejonin njerëzve të udhëtojnë midis vendeve anëtare dhe jashtë tyre.