Një pjesë dërrmuese e qytetarëve në Britani, kërkojnë një hetim global për Kinën, në lidhje me koronavirusin. Shumica e britanikëve besojnë se Boris Johnson duhet të kërkojë një hetim ndërkombëtar, për trajtimin e Kinës në fazat e hershme të shpërthimit të koronavirusit. Në bazë të një sondazhi të porositur nga grupi i mendimit Henry Jackson Society, mbi 80 për qind e njerëzve në Mbretërinë e Bashkuar, dëshirojnë që Pekini të përballet me një hetim global mbi atë që ndodhi.
Po kështu, 7 në 10 njerëz besojnë se ministrat duhet të përpiqen të ndërmarrin veprime juridike kundër qeverisë kineze, nëse konstatohet se kanë thyer ligjin ndërkombëtar në lidhje me përgjigjen e tij të shpërthimit. Më herët, Agjencitë e Inteligjencës Amerikane janë shprehur se Kina ka gënjyer qëllimisht për koronavirusin. Po kështu, ka fshehur numrin e viktimave dhe rasteve.
“Kina ka gënjyer për numrin e viktimave nga koronavirusi brenda kufijve të saj, dhe kështu ka minimizuar aftësinë e botës për t’iu përgjigjur pandemisë”. Ky është përfundimi i një raporti të përpiluar nga Agjensitë e Inteligjencës Amerikane.