Kina dhe SHBA-ja po krijojnë ushtarë “me aftësi të mëdha biologjike”

Sipas Xhon Retklif, zyrtari më i lartë i inteligjencës së Shteteve të Bashkuara, Kina mendohet se po kryen teste mbi anëtarët e forcave të saj të armatosura, me shpresën e zhvillimit të ushtarëve me “aftësi të zgjeruara biologjike”.

“Kina paraqet sot kërcënimin më të madh për Amerikën”-paralajmëroi Retklif, që ka qenë drejtor i inteligjencës kombëtare të presidentit Donald Trump që nga maji i këtij viti në një koment të publikuar në “The Wall Street Journal” javën e kaluar.

Retklif nuk e përmendi në detaje se çfarë lloj përmirësimesh biologjik është duke testuar qeveria kineze mbi pjesëtarët e ushtrisë, por televizioni amerikan NBC News spekuloi

se eksperimentet mund të përfshijnë modifikimin e gjeneve me teknikën CRISPR.

NBC citoi një dokument të vitit 2019, të shkruar nga 2 ekspertë amerikanë mbi Kinën në lidhje me interesin e Pekinit për të përdorur redaktimin e gjeneve për synime ushtarake.

“Ndërsa përdorimi i mundshëm i CRISPR për të rritur aftësitë njerëzore në fushën e betejës, mbetet për momentin vetëm një mundësi hipotetike, ka të dhëna se studiuesit ushtarakë kinezë kanë filluar tashmë të eksplorojnë potencialin e tij”- shkruanin autorët, Elsa Kania,

një eksperte e vjetër mbi teknologjinë ushtarake kineze në Qendrën për një Siguri të Re Amerikane dhe Uillon Vorndik, dhe ish-oficer i Marinës së SHBA,konsulent për sigurinë kombëtare, teknologjitë në zhvillim dhe Kinën.

Në Kinë, studimet mbi CRISPR kanë ecur me një ritëm shumë më të shpejtë sesa në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë. Në vitin 2016, studiuesit kinezë ishin të parët që përdorën teknikën e redaktimit të gjenit tek një person. Pastaj, shkencëtari kinez He Jiankui e përdori teknikën CRISPR për të redaktuar gjenomet e dy embrioneve njerëzore, gjë që solli lindjen në vitin 2018 të foshnjave të para në botë me gjene të modifikuara.

Komuniteti shkencor nëpër botë e ndoqi me vëmendje si rast. Shkencëtari kishte hequr një gjen, në një përpjekje për t’i bërë foshnjat rezistente ndaj HIV, veprim që shumë shkencëtarë e qortuan si një formë të përmirësimit. Nëse fëmijët janë vërtet rezistentë ndaj virusit, kjo sot nuk dihet me siguri.

Ndërkohë, studiuesit në Kinë po kryejnë gjithashtu transplantime të organeve nga derri dhe majmuni me gjene të redaktuara, dhe po kryejnë ndërhyrje gjenetike tek majmunët për t’u shkaktuar autizëm dhe çrregullime të tjera të trurit.

Sipas një kërkimi në ClinicalTrials.gov, që përmban një bazë të dhënash të studimeve mjekësore njerëzore në të gjithë botën, që drejtohet nga Instituti Kombëtar i Shëndetit në SHBA, aktualisht në Kinë po zhvillohen të paktën një duzinë testesh klinike njerëzore duke përdorur CRISPR.

Disa nga këto prova, përfshirë ato për kancerin dhe HIV-in, po ndodhin në spitalet që zotërohen nga Ushtria Çlirimtare e Popullit, që janëforcat e armatosura të Kinës. Edhe studiuesit në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, po testojnë gjithashtu përdorimin e CRISPR tek njerëzit,mbi aftësinë që ka kjo metodë për të kuruar një pjesë të vogël të sëmundjeve gjenetike të pakurueshme.

Duke pasur parasysh shpejtësinë e Kinës në avancimin e kërkimeve me metodën CRISPR, mundësia që ky vend të jetë duke eksploruar përdorimin e redaktimit të gjeneve tek ushtarët, nuk është ndonjë diçka e habitshme. Në fakt, edhe qeveria amerikane është gjithashtu e interesuar për aplikimet e mundshme ushtarake të teknikës CRISPR.

Lexo edhe :   Biden: Mbështesim një marrëveshje Kosovë-Serbi me njohje të ndërsjellë

Vitin e kaluar, SHBA kishte nisur zbatimin e një programi federal kërkimor që synonte të përdorte një version të CRISPR për t’i mbrojtur ushtarët nga rrezatimet vdekjeprurëse . Një nga menaxherët e këtij programi me Agjencinë e Projekteve të Kërkimit të Avancuar të Mbrojtjes, tha se efektet e një terapie të tillë do të ishin të përkohshme, dhe nuk do të ndryshonin përgjithmonë ADN-në e një personi.

Kjo teknikë, është ende në fazat e hershme të zhvillimit dhe nuk është testuar ende tek njerëzit. Vitet e fundit, shkencëtarët, eticistët dhe zyrtarët qeveritarë e kanë njohur CRISPR si një kërcënim të mundshëm të sigurisë kombëtare.

Në vitin 2016, ish-drejtori i inteligjencës kombëtare Xhejms Klaper e shtoi redaktimin e gjeneve në të njëjtën listë kërcënimesh me “armët e shkatërrimit në masë dhe përhapjes së tyre” në një raport vjetor të shërbimeve inteligjente.

“Kërkimet mbi redaktimin e gjenomit të kryera nga vendet me standarde të ndryshme rregullatore ose etike, ndryshe nga ato të vendeve perëndimore, mund të rrisin rrezikun e krijimit të agjentëve biologjikë apo produkteve potencialisht të dëmshme.

Duke pasur parasysh shpërndarjen e gjerë, koston e ulët dhe ritmin e përshpejtuar të zhvillimit të kësaj teknologjie me përdorim të dyfishtë, keqpërdorimi i saj i qëllimshëm ose i paqëllimshëm, mund të çojë në implikime të gjera ekonomike dhe të sigurisë kombëtare”- thuhej në raport.

Bio-armët e bazuara në teknikën CRISPR janë aktualisht hipotetike. Gjithsesi, shkencëtarët po punojnë për të zhvilluar proteina “anti-CRISPR”, që mund të ndalin efektet e një arme të tillë. Sigurisht, nuk ka asnjë provë të fortë se Kina po e përdor CRISPR për të krijuar armë të tilla apo “super-ushtarë”.

Kërkimi shkencor në Kinë është tejet i fshehtë. Por ka shumë mënyra të tjera për të “përmirësuar” biologjikisht ushtarët, disa janë aq të rëndomtë sa programet e dietës ushqimore dhe stërvitjes, ka dhe të tjera që janë më të dyshimta nga ana etike, si ilaçet për rritjen e performancës dhe pajisjet për leximin e mendjes.

Ideja e përmirësimit të ushtarëve nuk është e re, dhe Kina nuk është superfuqia e parë që po e provon atë. Në Gjermaninë naziste, metamfetaminat dhe stimulantët me bazë kokainën iu shpërndanë ushtrisë për të rritur performancën fizike të ushtarëve, për të shtuar rrezikshmërinë e tyre në betejë dhe parandaluar gjumin.

Në Shtetet e Bashkuara, ushtria përdor amfetamina dhe stimulues të tjerë për fluturimet rutinë apo misionet e rëndësishme. Përgjatë viteve, tek anëtarët e ushtrisë amerikane janë testuar vaksina të ndryshme, të cilat mund të konsiderohen si një lloj përmirësimi biologjik.

Qeveria amerikane po zhvillon gjithashtu një sistem që ndërlidh trurin e njeriut dhe kompjuterin, dhe që“lexon” trurin për të kryer veprime të caktuara. Ajo që mund t’u japë mundësi ushtarëve të kontrollojnë dronët me mendje.

Ashtu si puna e qeverisë amerikane kundër rrezatimit bazuar në teknikën CRISPR, dhe kjo ide është ende teorike. Ndonëse këto përparime biologjike ka të ngjarë të jenë vite larg, ato përfaqësojnë mundësi të reja dhe ndoshta të frikshme për përmirësim. Pavarësisht nëse ky eksperiment po kryhet në Shtetet e Bashkuara apo Kinë, këto programe ngrenë shqetësime se si kjo teknologji do të përdoret në të ardhmen tek ushtarët amerikanë, apo dhe ata armiq.

Burimi i lajmit: https://www.focus.it/cultura/arte/10-cose-che-forse-non-sai-su-john-lennon

Përshtatur nga TIRANA TODAY