Shoqëruar nga një sërë delegacionesh me sipërmarrës nga vende të ndryshme ka filluar në Sofje samiti i Europës Qendrore e Lindore me Kinën.
Kryeministrat e vendeve të Evropës Qendrore, Lindore e Juglindore takohen në konferencën e njohur, si takimi 16+1, bashkë me kryeministrin kinez, Li Keqiang
Në hapje të takimit, kryeministri kinez, Li Keqiang u shpreh, se Kina do të shohë një Evropë të fortë dhe të hapur. Kjo është edhe në interesin e Kinës, tha ai.
Ndërsa mikpritësi i takimit, kreu i qeverisë bullgare, Boiko Borisov u shpreh se ky “format nuk ka qëllimin të ndajë, por të bashkojë Evropën.”
Ai iu referua kështu kritikave të vazhdueshme nga BE, se një takim i tillë me Kinën minon unitetin e Bashkimit Evropian.
Kooperimi i Kinës me vendet evropianolindore alarmon Bashkimin Evropian. Diplomatët e Brukselit thonë se strategjia është “përça e sundo”.
Në Bullgari Kina po merr pjesë në ndërtimin e centralit atomik, Belene dhe ndërtimin e autostradave dhe linjave hekurudhore.
Kina premton tregtinë e hapur: Ky takim renditet për Pekinin në projektin e Rrugës së Re të Mëndafshit, që synon të lidhë Kinën me Evropën. Bëhet fjalë për bashkëpunim në infrastrukturë, ekonominë energjetike, teknologji, turizëm e kulturë.
Kryeministri Keqiang theksoi në Sofje se Kina do të vazhdojë të ndjekë politikën e tregjeve të hapura, kjo një ditë pasi Uashingtoni dhe Pekini vendosën tarifa doganore reciproke në vlerën e 34 bilionë dollarëve.
Kryeministri kinez theksoi se Kina do të vazhdojë të mbajë të hapur derën për produkte të huaja, sepse tregtia e hapur siguron rritjen ekonomike globale.
Takimi 16+1 zhvillohet rregullisht nga viti 2012. Paralelisht me krerët nga politika, në Sofje kanë ardhur edhe 1000 biznesmenë nga vendet pjesëmarrëse si Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Lituania, Maqedonia, Serbia, Sllovakia e vende të tjera.
Vendi mikpritës Bullgaria kishte ftuar si të ftuar nderi kancelaren gjermane, Angela Merkel, por ajo nuk merr pjesë.