E enjte, 21 Tetor, 2021
12.5 C
Tirana

Kështu foli Romeo

Nga Edmond Tupja

Po, kështu më tha pardje dje Romeo, jo ai i Sheksipirit, por komshiu im i urtë deri në nënshtrim fatalist: “Zhuljeta po na ikën…”, mirëpo e mblodha në çast veten, sepse as e shoqja, as e bija e vetme nuk quheshin, nuk quhen e nuk do të quhen “Zhuljeta”, madje ato nuk kanë ku të ikin, sepse janë të varfra dhe nuk u shkon kurrsesi në mendje të largohen nga shtëpia, për më tepër që e para është me hipertension e diabet, ndërsa e dyta e ndarë nga i shoqi dhe me tre fëmijë.

Gjithsesi, gjithçka u sqarua kur nga goja e tij mësova se në fakt më kishte thënë “Zhul jeta po na ikën…”, i inatosur siç ishte që kur kishte mësuar, si shumëkush nga banorët e Tiranës, se së shpejti do të rritej çmimi i ujit, rritje kjo dhuratë e kryetarit (me “t” kjo fjalë, aspak me ndonjë shkronjë tjetër në vend të saj) të bashkisë së kryeqytetit tonë, kryetar që na kishte premtuar solemnisht furnizim 24-orësh me ujë të pishëm (me “p” kjo fjalë, aspak me ndonjë shkronjë tjetër në vend të saj).

Po, kishte të drejtë, falë premtimi të pambajtur të “lali Erit”, do ta kemi më të kushtueshme të lahemi e të lajmë rrobat, enët, dyshemetë etj., etj. Oh, ujin e pishëm disa do të vijojnë ta blejnë me bidona, por të tjerë, ato e ata që jetojnë nën nivelin e minimumit jetësor, do të pinë ujë nga çezma, do të lahen më rrallë, me një fjalë, do të bashkëjetojnë me zhulin, por ç’rëndësi ka kjo? Shumëkujt i kujtohet fare mirë se, para disa kohësh, bashkia e Tiranës pati bëri një marrëveshje me ndërmarrjen e ujit “Lajthiza” për furnizim të rregullt të zyrave lalEriane me këtë ujë pikërisht, sepse, me sa duket, siç ma nënvizoi Romeo, jo ai i Shekspirit, “lali Erin” e paska bërë nëna në maternitet, kurse ne të tjerët na paska bërë bushtra bodrumeve.

Kjo zemëratë e pafuqishme e komshiu tim të urtë deri në nënshtrim fatalist, nuk mungoi të më sillte ndër mend një tjetër ngjarje: Para mjaft vitesh, dikush, një mik aktivist i shoqërisë civile, qysh në mëngjes më kishte njoftuar me telefon se pasdite do të tuboheshin para bashkisë së kryeqytetit një numër banorësh të Tiranës ngaqë këshilli bashkiak do të debatonte për të vendosur ose jo rritjen e çmimit të ujit. Vajta atje dhe oh, çfarë zhgënjimi, bëheshim apo s’bëheshim rreth 120 veta! Pas këtij konstatimi të dhimbshëm, befas më shkrepëtiu një mendim: Pjesëmarrësit në atë tubim ishin me siguri njerëz që laheshin duke respektuar rregullat e higjienës, po ata kryeqytetas – disa qindra mijëra – që mungonin, a thua laheshin një apo dy herë në muaj, në vit apo në shekull? E pashpjegueshme mungesa e tyre! E pabesueshme: 120 veta që laheshin dhe të cilët i shqetësonte padrejtësia që u bëhej jo vetëm atyre personalisht, por gjithashtu qindra mijëra bashkëqyetarëve moskokëçarës dhe – më e keqja – pa pikë ndërgjegje shoqërore! Në sytë e mi, këta të fundit nuk vlenin më shumë se zhulanët, zhulanjosët, zhulaqët apo zhulsat e të tëra kohëve, vendeve dhe regjimeve.

Prej vitesh e kam vënë re me shqetësim këtë mungesë ndërgjegjeje shoqërore tek bashkëqytetarët e mi lidhur me shtrenjtimin jo vetëm të ujit, por edhe të ushqimeve, ilaçeve, shërbimeve etj. ,etj., shkurt lidhur me shtrenjtimin e jetesës, prandaj jam i bindur se, teksa lexojnë me njëfarë kureshtjeje përçmuese këto radhë (pasi janë larë, hidromasazhuar, vetëpërkëdhelur e vetëdëfryer, fërkuar, fshirë, parfumuar etj., etj.), ata që na qeverisin në të dy rrafshet, edhe qendror, edhe vendor, thonë me vete: “Gri sallatë, o profesor Tupja, gri sallatë! Sa të kemi këtë popull, do të bëjmë qejf e gallatë! Se shqiptari është si gomari, sa më fort t’i biesh, aq më shumë i mban samari!”. Një skandal ky i vërtetë, madje përbindshmërisht madhështor nga të gjitha këndvështrimet!

Si përfundim të përfundimeve, mendoj se shumica e bashkëqytetarëve të mi, edhe sikur lali Eri t’i lërë pa ujë fare, janë gati të lahen e të shpëlahen me ujë shiu, deti, liqeni, lumi, kanali apo kënete, janë gjithashtu gati të shpëlajnë gojën (pse jo, edhe shpirtin) me urinën e tyre të çmuar, edhe sikur bashkia dhe shteti t’u marrin taksa për këtë. Rrjedhimisht, Romeos, jo atij të Shekspirit, por fqinjit tim të urtë deri në nënshtrim fatalist, në zhul do t’i shkojë jeta, sepse si skllav do të jetojë i mjeri për aq kohë sa në Tiranë do të sundojnë pa turp e pa mëshirë lali Eri dhe, prapa atij, Edi Xhongleri! /Panorama.al

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Veshka e derrit transplantohet te njeriu (FOTO)

Për herë të parë, një veshkë derri është transplantuar në një njeri, pa shkaktuar refuzim të menjëhershëm nga sistemi imunitar i marrësit, një përparim...

Shpërthim i fuqishëm gazi në Kinë/Publikohen pamjet ‘apokaliptike’ (VIDEO)

Të paktën 3 persona u vranë dhe më shumë se 30 u plagosën në një shpërthim të fuqishëm në një restorant, në qytetin verilindor...

Evi Kokalari i publikon dokumentin Bashës: Të nis një investigim për këto afera

Që kur u shfaq në "Foltoren" e Sali Berishës si një mbështetëse "amerikane" e ish-kryeministrit në “luftën” e tij kundër SHBA-së, Evi Kokalari nuk...

Thellohen spastrimet në PD/Luan Baçi largohet nga kreu i degës në Fier

Lulzim Basha ka marrë një tjetër vendim, për të shkarkuar një tjetër emër nga radhët e PD-së. Dita-ditës, kryedemokrati po fakton se mbetet i...

PD e vendosur për t’i shkuar deri në fund çështjes “Becchetti”

Pak kohë më parë, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ka dënuar Shqipërinë me 110 milionë euro, për konfliktin me biznesmenin...