Aventura në La Liga me fanellën e Rayo Vallecano nuk shkoi siç duhej për James Rodriguez, ndaj kolumbiani vendosi pak ditë më parë të ndahej me klubin spanjoll dhe tani duket se ka gjetur ekipin e ri.
Sipas TUDN Mexico, futbollisti 33-vjeçar është afër nënshkrimit të kontratës me meksikanët e Club Leon. Marrëveshja pritet të zgjasë deri në fund të vitit 2025, me një opsion zgjatjeje dhe për një vit tjetër.
Mediat vendase tregojnë se ylli kolumbian mund të mbërrijë në Leon që në fillim të kësaj jave dhe madje mund të regjistrohet për ndeshjen e raundit të dytë të Liga MX kundër Atlas, e cila do të zhvillohet në Guadalajara më 18 janar.
Rodriguez ka pasur dhe oferta të tjera nga Arabia Saudite apo dhe disa ekipe kolumbiane, por ka zgjedhur klubin meksikan me idenë që do e ndihmojë të gjejë formën e duhur për të qenë gati për Kupën e Botës 2026, e cila do të jetë e fundit për të.
Pavarësisht se karriera me klube nuk i ka ecur dhe aq mirë, kur vjen puna te kombëtarja James Rodriguez ka dhënë më të mirën dhe e ka ndihmuar shumë Kolumbinë të arrijë rezultate të mira.