Kërkohej ndërkombëtarisht, arrestohet shqiptari në Tiranë

Një shtetas shqiptar në kërkim nga drejtësia italiane për trafikim të lëndëve narkotike, është arrestuar ditën e sotme në Tiranë.

Policia bën me dije se personi i arrestuar është 38-vjeçari me inicialet Gj.L.

“Ky shtetas, në rolin e ndërmjetësuesit, i ndihmuar dhe nga persona të tjerë, ka arritur t’i dorëzojë një shtetasi italian (trafikant droge), një sasi të madhe cannabis-i, e cila më pas është sekuestruar nga policia italiane, duke vënë para drejtësisë gjithë autorët e përfshirë në këtë aktivitet kriminal të kundërligjshëm.

Akuza që rëndon mbi 38-vjeçarin në kërkim ndërkombëtar, është “Trafikimi i narkotikëve në sasi të mëdha, kryer në bashkëpunim”, ndërsa është kryer arrestimi provizor, me qëllim ekstradimin drejt Italisë.

Një vendim i Gjykatës së Hetimeve Paraprake të Romës, në Nëntor të vitit 2019, ka caktuar masën e arrestit ndërkombëtar, për shtetasin e mësipërm.

Maksimumi i dënimit është 10 vjet burgim. “Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Roma, vijon veprimet për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë”, thuhet në njoftimin e policisë.