Kërcënohet gazetari Enton Abilekaj

Gazetari Enton Abilekaj, drejtues i portalit informativ “Dosja.al” është kërcënuar për shkak të detyrës dhe një seri rrethanash lidhin rastin me prokurorin e Tiranës, Kolë Hysenaj.

Në Nëntor 2019, Abilekaj merr disa kërcënime në telefonin e tij, nga një numër me prefiks holandez, ku i kërkohej të hiqeshin disa shkrime, pa i specifikuar ato.

Gjuha e mesazheve ishte me aksent verior, ndërkohë që koha e dërgimit të tyre përkonte me disa shkrime që ‘Dosja.al” kishte shkruar për prokurorin Kolë Hysenaj.

Megjithatë, Abilekaj nuk ka dyshuar se këto kërcënime nga një person që mban detyrën e prokurorit.

Në këto mesazhe, gazetarit i kërkohej që të hiqeshin disa shkrime nga “Dosja.al”, pasi, sipas mesazh-dërguesit, ishin shpifje dhe trillime.

Abilekaj i ka kërkuar personit të paidentifikuar që të sqaronte se cilat shkrime ishin, sipas tij, shpifje.

Kërcënuesi nuk ka dhënë asnjë shpjegim, por ka lëshuar një seri kërcënimesh për vetë gazetarin, si edhe duke i përmendur detaje të familjes së tij.

Në këto kushte, gazetari Abilekaj ka dorëzuar një kallëzim penal, në të cilat shpjegon rrethanat e ngjarjes.

Rasti u shqyrtua nga Oficeri i Policisë Gjyqësore, A.D.

“Boldnews.al” ka siguruar proces-verbalin e marrjes në pyetje të gazetarit Abilekaj, ku hidhet dritë mbi ngjarjen dhe përfshirjen, edhe pse në dukje indirekte, të prokurorit Hysenaj.

I pyetur nga oficeri i Policisë Gjyqësore, Abilekaj shpjegon se ka pasur komunikim me një numër me prefiks të huaj, në të cilin i kërkohej fshirja e disa shkrimeve, pa i dhënë më shumë detaje.

Ai ka kryer vetë verifikime dhe ka konstatuar se në ditët që ka marrë mesazhe kërcënuese, në portalin e tij janë publikuar, ndër të tjera, edhe disa shkrime për prokurorin Kolë Hysenaj.

Abilekaj ka dëshmuar për Oficerin e Policisë Gjyqësore se, thuajse në të njëjtën periudhë kohore (ndërmjet datat 9 dhe 11 Nëntor 2019), prokurori Kolë Hysenaj i ka dërguar e-mail në adresën e tij personale, ku i kërkonte specifikisht heqjen e disa shkrimeve, për ato që ai i konsideronte shpifje dhe trillime.

Lexo edhe :   Revanshi i shkarkimit dhe domosdoshmëria e dorëheqjes së Ilir Metës

Edhe oficeri i Policisë Gjyqësore, në bazë të verifikimeve të tij, ka identifikuar emrin e prokurorit Kolë Hysenaj.

Sipas asaj që është shënuar në proces-verbalin e marrjes së të dhënave, oficeri A.D, pyet gazetarin Abilekaj:

“Pas kallëzimit të bërë nga ana Juaj, ku ju kërkohej të hiqej lajmi për data 9, 10 dhe 11 nëntor 2019, ne kemi bërë një hetim të vogël dhe rezulton se këto data portali që ju drejtoni kashkruar për shtetasin Kolë Hysenaj. Çfarë mund të na thoni për këtë fakt?”

Gazetari Enton Abilekaj ka deklaruar se “në kallëzim nuk kam dashur të përmend emra dhe nuk besoja se persona me integritet dhe detyrë apo funksion publik të lartë, të bëjnë komunikime apo e-maile. Dua t’ju them se unë kam komunikime në e-mail me shtetasin Kolë Hysenaj, ku më thuhet apo flitet për të njëjtën gjë që më kërkon edhe kërcënuesi me whatsapp”.

Pas kallëzimit dhe mbajtjes së proces-verbalit, Oficeri i Policisë Gjyqësore e referon rastin në Prokurorinë e Tiranës. Hetimi regjistrohet në Nëntor 2019 nga prokurorja Suela Salavaçi, për veprën penale të “Kërcënimit për shkak të detyrës”, pa autor.

Në kuadër të këtij hetimi, prokuroria e Tiranës ka kërkuar informacion nga kompanitë telefonike në vend, për të zbuluar nëse numri nga ku kanë mbërritur mesazhet kërcënuese në adresë të gazetarit Abilekaj ka kryer trafik nëpërmjet tyre.

Kompanitë e telefonisë së lëvizshme në Shqipëri nuk kanë konstatuar gjurmë të numrit me prefiks holandez në sistemet e tyre.

Pas shumë muajsh nga nisja e hetimit, vetëm në Tetor 2020, Prokuroria e Tiranës i ka dërguar Prokurorisë së Përgjithshme kërkesën për përcjelljen e letër-porosisë drejt autoriteteve holandeze, me qëllim identifikimin e përdoruesit të numrit, nga i cili është kërcënuar gazetari Abilekaj.

Rreth një vit pas kërcënimit, ngjarja vijon të jetë sërish pa autor.