Keqpërdorimi i numrit të Metës, Presidenca: Jemi në pritje të informacioneve

Zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi ka bërë me dije se ka dërguar një kërkesë kundrejt një kompanie telefonike për të marrë informacione në lidhje me mesazhet që u janë dërguar qytetarëve në emër të Presidentit Ilir Meta.

Blush tha se sipas të dhënave që kanë siguruar mesazhet e manipuluara, janë dërguar nga qendra e mesazheve të kësaj kompanie telefonike, dhe presin informacione prej saj.

”Sot, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta ju drejtua me një kërkesë për informacion kompanisë “One Telecommunications” lidhur me keqpërdorimin kriminal të mesazheve telefonike, gjoja sikur janë dërguar nga numri i Tij personal zyrtar, në adresë të disa qytetarëve. Sipas të dhënave të siguruara, mesazhet e manipuluara, janë dërguar nga qendra e mesazheve të kësaj kompanie telefonike. Për këtë arsye, Presidenti Meta është në pritje nga “One Telecommunications” të informacionit të nevojshëm, para nisjes së procedurave ligjore në sistemin ndërkombëtar.”, shkruan Blushi në rrjetin social, Facebook.

Disa ditë më parë, Presidenti Meta ka denoncuar keqpërdorimin e numrit të tij personal, teksa u shpreh se shumë miq e të afërm kanë marrë mesazhe fyese dhe kërcënuese në emrin e tij.