Këngëtari amerikan R. Kelly është dënuar me 30 vite burg për përdorimin e statusit të tij të famshëm, për të abuzuar seksualisht me fëmijët dhe gratë.
Artisti 55 vjeçar u dënua shtatorin e kaluar në Nju Jork, për krime të shantazhit dhe trafikimit seksual. Ai ishte përballur me vite të tëra me akuza dhe gjykatësi të mërkurën tha se kishte një “indiferencë ndaj vuajtjes njerëzore”. Avokatët e këngëtarit, emri i vërtetë i të cilit është Robert Sylvester Kelly, thonë se ai do të apelojë.
Përpara dënimit të tij, një pjesë e vogël e grave u ngritën për t’u përballur me Kelly. Një grua e identifikuar vetëm si Angela e quajti këngëtarin një Pied Piper, i cili “rritej në ligësi” me çdo viktimë të re, ndërsa të tjerët që nuk u emëruan dëshmuan se ai kishte thyer shpirtrat e tyre.
Kelly nuk pranoi të bënte një deklaratë të tijën, dhe nuk reagoi kur u dha vendimi. Prokurorët federalë kishin rekomanduar që Kelly të dënohej me më shumë se 25 vjet burg, duke pasur parasysh seriozitetin e krimeve të tij dhe “nevojen për të mbrojtur publikun nga krimet e mëtejshme”.
Por avokatët e tij kërkuan një dënim prej 10 vitesh – minimumi i detyrueshëm për dënimin e tij ose më pak.
Ata e portretizuan Kelly-n si të rritur të varfër në një familje të mbushur me dhunë, dhe duke vuajtur nga abuzimi seksual që në moshë të re. Ata thanë se ai ishte “shkatërruar” nga dënimi dhe planifikoi të apelonte.
Lizzette Martinez, e cila u takua me Kelly-n kur ishte 17 vjeç, tha se kishte “shumë gjëra që ai mund të kishte bërë për të ndaluar veten”.
“Ai kishte të gjitha burimet; ne nuk kemi burime të tilla. Ai mund të kishte marrë ndihmë”, tha ajo për BBC News.
Ajo tha se ai i është shmangur drejtësisë për vite me radhë, për shkak të “fuqisë së të famshmit”.
“Unë besoj se ai thjesht po bënte aq shumë para për kaq shumë njerëz të fuqishëm sa ata e mbronin atë”. Kelly ka qenë në paraburgim që kur u padit nga prokurorët federalë në Nju Jork dhe Çikago në korrik 2019.
Tre vitet e tij pas hekurave kanë qenë plot ngjarje, duke përfshirë një rrahje nga një koleg i burgosur në vitin 2020 dhe një përballje me Covid-19 në fillim të këtij viti. Këngëtari përballet me veprime të mëtejshme ligjore në gusht, kur ai del sërish në gjyq, këtë herë në Çikago për imazhet e seksit të fëmijëve dhe akuzat për pengim.
Ai gjithashtu do të përballet me akuza për abuzim seksual në gjykatat në Illinois dhe Minnesota.
Burimi i lajmit: BBC. Përshtatur nga Tirana Today