Këndvështrimi surreal i Perëndimit mbi Erdoganin dhe neo-otomanizmin

Nga: Merve Sebnem Oruç “Daily Sabah”

Për gati një dekadë, presidenti Rexhep Taip Erdogan është akuzuar se po përpiqet të ringjallë pretendimet e Perandorisë Osmane, paraardhësja e Republikës së Turqisë, në rajone të qeverisura nga osmanët në të kaluarën. Kur flasin mbi Turqinë bashkëkohore në analizat e tyre, “ekspertët” anti-Erdogan, i referohen shpesh konceptit të“neo-otomanizmit”.

Ky term është përdorur për herë të parë në vitin 1985 nga Dejvid Barshard, korrespodent i britanikes “The Guardian dhe më pas i“The Financial Times” në vitet 1970-1980 në Turqi.

Ai e shpiku këtë term në një artikull të botuar nga think-tanku “Chatham House”, që shqyrtonte lidhjet midis Turqisë dhe Perëndimit.

Dhe është interesant fakti që “neo-otomanizmi” u përdor për herë të parë në lidhje me reformat ekonomike, nismat e përparuara teknologjikisht, dhe politikën e jashtme aktive të presidentit të ndjerë Turgut Ozal. Ozal u bë kryeministër pas zgjedhjevetëvitit1983, që u mbajtën 3 vjet pas grushtit të shtetit të vitit 1980, gjatë të cilit junta ushtarake ekzekutoi 50 njerëz dhe arrestoi rreth 500.000 të tjerë.

Ozal kritikohet ende sot se ishte një udhëheqës “neo-liberal”nga të majtët dhe kryesisht nga Kemalistët, sidomos për politikën e tij të jashtme të orientuar nga Perëndimi. Por është e çuditshme sesi një udhëheqës si Ozal, që ndryshoi politikën e jashtme Kemaliste tradicionale pasive, hezituese dhe izoluese, u përshkrua jashtë Turqisësi një ëndërrimtar neo-otomanist.

Ashtu si në epokën e Ozal, Turqia nën drejtimin e Erdoganin ka ndërmarrë shumë reforma kritike ekonomike dhe sociale. Shërbimet publike, reformat në sistemin shëndetësor dhe projektet e mëdha të infrastrukturës, përfshirë urat, aeroportet dhe termocentralet janë pasuar nga investimet në ushtri dhe financimet në teknologjinë më të fundit.

Në shkurt, Erdogan bëri publik një program hapësinor 10-vjeçar, që do të organizojë misione në Hënë, do të dërgojë astronautët turq në hapësirë, ​​dhe do të zhvillojë sisteme të reja satelitore. Si një udhëheqës i vendosur që arriti të vendosë një stabilitet politik dhe ekonomik sapo u zgjodh kryeministër në vitin 2002, duke i dhënë fund kapitullit të ngërçit të vazhdueshëm politik që e kishte pllakosur shoqërinë turke që nga vitet 1990, Erdogan është sulmuar vazhdimisht nga Kemalistët brenda vendit për përpjekjet e tij për të përmirësuar lidhjet me botën perëndimore.

Partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), ka qenë në qendër të shumë teorive konspirative, përfshirë atë të të qenit pjesë e “Projektit të Rripit të Gjelbër”, gjoja i miratuar në SHBA në vitet 1970 nën presidencën e Xhimi Karterit, për të mbështetur ekstremizmin dhe luftuar komunizmin ateist.

Një Lindje e Mesme e re?

Kemalistët në Turqi, këmbëngulin se Erdogan u zgjodh në krye për të drejtuar projektin “Lindja e Mesme e Madhe”, bazuar në termin politik të prezantuar në një studim tëvitit 2004 nga thinj-tanku “Carnegie Endowment për International Peace”.

Në qarqet anti-Erdogan, qofshin të majtët, ultra-nacionalistët apo Kemalistët, shumica e cilësojnë qëndrimin e tyre anti-perëndimor si një moment krenarie, pasi pretendojnë se projekti në fjalë planifikon që të ndryshojë hartën politike të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut (MENA).

Ata pretendojnë se projekti, i quajtur ndryshe edhe si “Lindja e Mesme e re”, është një ide e SHBA-së dhe ka qëllime të padrejta, meqë në vitin 2006, Sekretarja e atëhershme e Shtetit Kondoliza Rajs deklaroi se një “Lindje e Mesme e re”, do të arrihej përmes “kaosit konstruktiv” gjatë një konference të përbashkët për mediat me kryeministrin e atëhershëm izraelit Ehud Olmert, mbi shpërthimin e luftës në Liban në verën e vitit 2006.

AKP konsiderohet si një parti “konservatore” brenda vendit, por akuzohet si “autoritare” nga jashtë vendit. Së pari, konservatorizmi në Turqi ka të bëjë me fenë, me njerëzit që klasifikohen si të moderuar, tradicionalistë apo të linjës së ashpër.

Përkufizimi i Turqisë mbi konservatorizmin, ndryshon nga kuptimi global i këtij termi, që përshkruan ata që refuzojnë të ndryshojnë. Interpretimi i termit nga AKP ka qenë i lidhur me çështje kulturore dhe tradicionale, përfshirë respektimin e fesë së shoqërisë turke, dhe rikujtimin e historisë së turqve,që filluan të vendoseshin në Anadoll në fillimin e shekullit XI-të.

AKP e përshkruan veten si një “parti demokratike socialist konservatore”, dhe ajo cilësohet si partia që ka kryer më shumë reforma në historinë e Turqisë përmes politikave të saj jo-ortodokse, plot vizion, progresive dhe nismave revolucionare.

Çfarë është Kemalizmi?

Kemalizmi është në fakt një formë e nacionalizmit konservator, që mbështet dhe garanton parimet themeltare të shtetit turk, siç është zbatimi i rreptë i laicizmit, që u zgjodh në vend të shekullarizmit për të përcaktuar marrëdhënien midis shtetit dhe fesë.

Ai u vendos për ta shkëputur shtetin e ri turk nga paraardhësja i tij, Perandoria Osmane, përfshirë historinë e turqve deri në fillimin e Luftës për Pavarësi në vitin 1919. Menjëherë pas themelimit të shtetit të ri, u ndërpre çdo lidhje e vetme që mund ta kishte lidhur republikën turke me trashëgimia otomane.

Përveç kësaj, gratë që mbanin shami u ndaluan të punojnë në sektorin publik, pikërisht në një vend ku më shumë se 90 pë qind e popullsisë është myslimane. Ndalimi u zgjerua për të përfshirë edhe institucionet jo-shtetërore, si dhe disa vende publike.

Gratë dhe vajzat me shami nuk u lejuan të hynin në universitete. Forcat e armatosura,kishin nën vëzhgim të rreptë laicitetin politik të Turqisë, që ishte një gur themeli midis parimeve themeluese të vendit. Ushtria kishte një ndikim të fortë mbi politikën e brendshme dhe të jashtme të Turqisë,dhe nuk lejoi një tranzicion të butë nga laicizmi i vijës së ashpër në sundimin shekullar.

Përkundrazi,në disa raste ajo ndërhyri në politikën turke. Nëse laicizmi ishte një nga dy shtyllat kryesore të Kemalizmit, nacionalizmi ishte shtylla tjetër. “Millet sistemi” (sistemi popullor) i Perandorisë Osmane njihte ekzistencën e grupimeve të ndryshme etnike si pjesë e vendit.

Megjithëse Islami ishte fe zyrtare, perandoria ishte një vend multietnik për shumë fe. Meqë Kemalistët donin të zhdukin strukturën politike otomane, u synua ndërtimi i një kombi të bazuar në bërthamën etnike turke. Pra Kemalistët donin të krijonin një shtet që u shërbente turqve, në kontrast me përzierjen e etnive në Perandorinë Osmane.

Të gjitha pakicat në vend e ndien ndikimin negativ të politikave nacionaliste, sidomos kurdët, të cilëve iu ndalua përdorimi i gjuhës, veshjes tradicionale, folklorit dhe emrave të tyre. Kurdëve iu“grabit” identiteti i tyre, duke i kategorizuar si “Turqit e Malit”.

Arritjet e AKP-së

AKP ka zhvilluar një luftë të fortë kundër kufizimeve të lirisë fetare dhe etnike në shoqërinë turke. Për të nuk ishte aspak e lehtë të dilte kundër institucioneve të vjetra të Turqisë, të cilat i kundërshtuan reformat e saj, përfshirë thyerjen e tabuve të rrënjosura, të tilla si anulimi i ndalimit të mësimit të gjuhës kurde apo mbajtjes së shamisë.

Për shembull, në vitin 2008 një padi në gjykatë u përpoq të nxirrte jashtë ligjit AKP dhe t’i pengonte anëtarët e saj të merreshin me politikë. Ajo kërkesë nuk u miratua vetëm për një votë, duke u miratua nga 6 gjyqtarë, kur duhej vota e 7 gjyqtarëve për zbatimin e kërkesës.

Erdogan u burgos për 4 muaj kur ishte kryebashkiak i Stambollit në vitin 1999 për nxitje të urrejtjes fetare, vetëm sepse recitoi një poezi të Zija Gëkalp. Kur u lirua, ai mendonte se karriera e tij politike kishte marrë fund. Në fakt, Erdogan pak vite më vonë u bë lideri më popullor në vend.

Pasi i mbijetoi një vargu përpjekjesh nga garda e vjetër për ta rrëzuar gjatë gati 2 dekadave, Erdogan u rrit nga një udhëheqës lokal në një kombëtar, para se të bëhej një figurë popullore në arenën ndërkombëtare. Erdogan është një udhëheqës mysliman, dhe ai nuk e fsheh identitetin e tij fetar.

Edhe pse ai përshkruhet si një “njeri i ashpër” nga qarqet anti-Erdogan, ai në fakt e favorizon shekullarizmin. Kur vizitoi Egjiptin pas revolucionit të 25 Janarit në vitin 2011, ai u bëri thirrje Egjiptianëve të miratonin një kushtetutë laike.“Mos kini frikë nga shekullarizmi. Shpresoj qënë Egjipt të ketë një shtet laik”-tha ai.

Erdogan dëshiron të rindërtojë lidhjet historike midis Republikës së Turqisë dhe paraardhëses së saj, Perandorisë Osmane, duke vlerësuar të kaluarën e vendit gjatë epokës së Perandorisë Selxhuke. Qëllimi i Erdoganit është i thjeshtë:ajo është historia jonë.

Shumica e shoqërisë turke është e etur ta përqafojë të kaluarën e saj, që është rishkruar në librat shkollorë vetëm për t’i shkëputur njerëzit nga rrënjët e tyre. Publiku është i vetëdijshëm për këtë situatë, dhe i pëlqen politika e Erdoganit për të bërë paqe me paraardhësit e Turqisë.

Ndërkohë, pas fillimit të protestave arabe në vitin 2011, politikat e Erdoganit ndaj vendeve si Siria, Egjipti dhe Libia, synonin kryesisht mbrojtjen e interesave të Turqisë, por gjithashtu të mbronin të drejtat e njerëzve kundër puçistëve dhe diktatorëve, duke kundërshtuar projektet afatgjata të SHBA-së. Më pas, nisën akuzat se Erdogan që kishte ambicie “neo-otomane”.

Për më tepër, Erdogan vazhdoi që të luftonte kundër organizatave terroriste si PKK dhe ISIS përmes operacioneve tokësore në Siri, teksa shpartalloi grupin terrorist Gylenist (FETÖ), që ishte infiltruar në infrastrukturën shtetërore të Turqisë, në një përpjekje për të marrë përsipër drejtimin e vendit.

Gjithashtu, ai i mbijetoi përpjekjes për grusht shteti të FETÖ në vitin 2016. Qarqet që duan largimin e Erdogan, e kanë portretizuar vazhdimisht atë si një udhëheqës autoritar, me ambicie për t’u bërë “sulltani i ri”.

Politikat e tij që mbrojnë interesat e Turqisë dhe rezistenca e tij ndaj presionit, sidomos nga aleatët e Turqisë në NATO, i kanë siguruar atij vazhdimisht vend në titujt kryesorë të mediave, duke e akuzuar atë si një udhëheqës “ultranacionalist” me vizione “neo-otomane”, që sipas tyre krijojnë destabilitet në rajon.

Qasja anti-perëndimore

Është e vërtetë që nacionalizmi është rritur në Turqi krahasuar me dekadën e fundit, sidomos midis mbështetësve të AKP, dhe qasja anti-perëndimore është shtuar falë aleatëve perëndimorë të Turqisë, që e kanë braktisur këtë vend pikërisht në momentet më të vështira.

E megjithatë, Erdogan deklaron ende se Turqia është pjesë e Evropës. Por nga ana tjetër ka nënvizuar se vendii tij nuk do t tolerojë “sulmet”.Sot, Erdogan është mësuar me akuzat se po ndjek një politike të jashtme të “neo-otomanizmit”.

Në fakt, kjo akuzë e ka bërë atë akoma më popullor në sytë e turqve,që janë në paqe me rrënjët e tyre, teksa gjithnjë e më shumë njerëz në vend identifikohen si me Erdoganin po ashtu edhe me osmanët. Vëmendja e shtuar që i kushtohet “epokës Otomane”,mund t’i atribuohet kryesisht fushatave të shpifjeve.

Filma, seriale televizivë, libra dhe artikuj rreth historisë së Perandorisë Osmane, po konsumohen sot më shumë se kurrë. Me Erdoganin që akuzohet se dëshiron të jetë një “sulltan i kohëve të sotme”, një etiketim i përdorur për të ngjallur frikë nga presidenti, njerëzit tani po pyesin se cili nga 39 sulltanët e perandorisë i ngjan më shumë Erdoganit, teksa po përpiqen të përcaktojnë se çfarë karakteristikash të përbashkëta ndajnë sulltanët e dikurshëm me udhëheqësin e sotëm të Turqisë.

Burimi i lajmit: https://www.dailysabah.com/opinion/columns/a-surreal-western-view-on-erdogan-and-neo-ottomanism

Përshtatur nga TIRANA TODAY