Regjisori i njohur, Robert Budina bën me dije se Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka depozituar dy kallëzime në SPAK për kryetarin Erion Veliaj dhe nënkryetarin, Arbjan Mazniku për korrupsion dhe për vrasje të mbetur në tentativë.
Gjatë fjalës së tij në protestën që po mbahet, Budina tha se nuk kanë marrë ende një reagim nga SPAK në lidhje me këtë çështje.
Budina tha se çdo person që ka hedhur firmën për shembjen e godinës duhet të dalë para drejtësisë. Ai bën thirrje që gjatë kësaj kohe të ndalohet çdo punim në truallin e Teatrit.
Nëse kjo kërkesë nuk pranohet, atëherë regjisori paralajmëron se projekti do të pengohet me forcë.
“Kemi ndjekur 2 vite e 3 muaj për Teatrin imagjinoni për demokracinë. Sot për të rikthyer teatrin sikur ka qenë kemi hapur një peticion që mund ta firmosni këtu, që do të shpërndahet nëpër Shqipëri ‘E dua Teatrin aty ku ishte, siç ishte’. Kryeministri tha unë kam votat dhe bëj ç’të dua. Kërkojmë nga drejtësia të zbardhë sulmin terrorist mbi artistët dhe aktivistët, qytetarët. Kemi të gjitha pamjet kur tërhiqen zvarrë intelektualët sepse donin të mbronin teatrin. Ne nuk do të tërhiqemi se jemi kockë e fortë.
Ia treguam 2 vite dhe 3 muaj e çuam në dëshpërim total. Ai e shembi për të na thënë se është i fuqishëm dhe nëse ne nuk rikthejmë tempullin e qytetarisë nuk do ta fitojmë kurrë betejën. Faktori ndërkombëtar po reagon me shpejtësi skëterrë çfarë po ndodh dhe motoja jonë nuk është ik, por eja. Ne kemi nevojë për të gjithë për të fituar këtë betejë. I kërkova policisë që të vendoste vajzat përpara, se ne nuk jemi njerëzit e dhunës. Të nderuar qytetarë. Është rastësi që nuk kemi viktima nga ky akt terrorist. Disa aktivistë u mbajnë në qeli për 72 orë, të tjerë u lanë në arrest shtëpi, asnjë procedim për forcat e policisë. Këtu drejtësia ka marrë fund. Kontrata me shtetin është thyer. Nëse nuk ka reagim nga drejtësia e re qytetarët legjitimohen të mbrojnë veten dhe pasurinë e tyre me të gjitha format.
Kemi depozituar dy kallëzime në SPAK për kryetarin dhe n/ kryetarin e bashkisë për korrupsion dhe tani për vrasje në tentativë dhe nuk kemi pasur asnjë reagim. Ne kërkojmë të dalë para drejtësisë porositësi i sulmeve, ekzekutuesi, njësia që e kreu, institucioni që duhet ta mbronte, IM që e la të shkatërrohej, të gjithë drejtorët që vendosën firmën në një raport të pakryer asnjëherë. Inxhinierët që kanë firmosur pa qenë asnjëherë në godinë. Një hap i parë është ndalimi i çdo punimi në truallin e teatrit. Kërkesa nga ana e prokurorisë dhe shpallja për procedim penal për të përfshirët. Ne do të pengojmë me forcë në të kundërt projektin. Ju bëj thirrje ndërkombëtarëve të reagojnë”, tha ai.