“Kemi biseduar me PSG-në”/ Agjenti i Hysajt flet për të ardhmen e mbrojtësit

Tashmë nuk ka më dyshime se mbrojtësi i Kombëtares, Elseid Hysaj do të largohet nga Napoli në fund të sezonit, por ekziston një mundësi që ai të rinovojë edhe për më tej.

Sipas asaj që ka thënë agjenti i lojtarit, Mario Xhiufredi, Hysaj mund të qëndrojë vetëm nëse në drejtimin e skuadrës vjen Mauricio Sarri.

Për “Radio Punto Nuovo”, Xhiufredi ka zbuluar se kanë qenë në bisedime edhe me PSG-në për mbrojtësin e djathtë.

“Me Napolin çështja është e mbyllur. Ne jemi duke u përgatitur për një skuadër tjetër për sezonin tjetër. PSG-ja është një nga klubet me të cilat kemi biseduar, kam folur me Leonardon. Megjithatë deri tani nuk ka asgjë konkrete.

Padyshim që Hysaj mbetet në dispozicion të klubit deri në fund të sezonit. Duke pasur parasysh rregulloren, e cila nga 1 janari na lejon të kontaktojmë me klube të tjera, ne po shikojmë për një tjetër skuadër.

Mundësia që Hysaj të qëndrojë te Napoli? Nëse Sarri do të rikthehej në drejtimin e skuadrës, skenari mund të ishte ndryshe, nëse nuk kemi vendosur për skuadrën e re. Unë do të bëj punën time dhe flas me skuadra të tjera gjatë kësaj periudhe”, tha Xhiufredi.