Katër skenarët e mundshëm të marrëdhënies së ndërlikuar SHBA-Kinë

Nga Dario Rivolta “Linkiesta”

Pavarësisht nëse mund ta quani atë Lufta e Re e Ftohtë apo në ndonjë mënyrë tjetër, ajo që është e dukshme është përplasja midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara për hegjemoninë botërore, një zhvillim që do të përcaktojë fatin e marrëdhënieve ndërkombëtare në dekadat e ardhshme.

Pavarësisht profilit të ulët të adoptuar nga vdekja e Mao Ce Dunit deri në ngjitjen në pushtet te Xi Jingping, për vëzhguesit më të vëmendshëm ishte menjëherë më se e qartë se qëllimi i Pekinit ka qenë pasja enjë pozite udhëheqëse në lojën midis fuqive botërore.

Nga ana tjetër, kjo ambicie është e kuptueshme për arsye të ndryshme. Së pari, po flasim për vendin më të populluar të botës. Së dyti, narrativa e përdorur gjithmonë nga Partia Komuniste e Kinës, ka kujtuar dhe theksuar përherë poshtërimin të cilit iu nënshtruan kinezët gjatë shekujve të mëparshëm nga fuqitë evropiane dhe Japonia, ndaj dhe dëshira për shpagim buron në mënyrë të natyrshme.

Së fundmi, nuk është një rastësi që tradita perandorake e dinastive të ndryshme kineze, e ka përcaktuar gjithnjë këtë vend si “Mbretëria e Mesme”, që do të thotë se pjesa tjetër e botës ishte vetëm një aksesor i shkëlqimit dhe fuqisë së dinastive të ndryshme.

Ky koncept u ripohua në mënyrë “modeste” edhe nga udhëheqësi aktual Xi Jinping, kur deklaroi se synimi i Kinës ishte të lëvizte në një mënyrë të tillë që të ishte “më afër qendrës së skenës botërore”.Megjithatë,sot realiteti është se në “qendër të skenës botërore”janë Shtetet e Bashkuara, pasi ato përfaqësojnë fuqinë më të madhe si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë ushtarak, dhe se ajo nuk duket aspak e gatshme të heqë dorë në mënyrë paqësore nga pozicioni i saj dominues.

Atëherë pyetja që lind në mënyrë spontane është:çfarë do të ndodhë në të ardhmen e afërt, dhe si do të jetë zhvillimi i marrëdhënieve midis këtyre dy vendeve, dhe cilat do të jenë pasojat për pjesën tjetër të botës?

Skenarët e mundshëm nuk janë të shumtë, dhe mund të përmblidhen në të paktën 4 skenarë:Një konflikt botëror me pasoja shkatërrimtare; një marrëveshje midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës për ndarjen e zonave të ndikimit;Shtetet e Bashkuara detyrohen të heqin dorë nga një pjesë e ndikimit të saj mbi pjesën tjetër të botës, dhe e fundit rënia e regjimit komunist dhe për pasojë edhe e Republikës Popullore.

Është e qartë që perspektiva absolute më e keqe, është pikërisht ajo e një konflikti të ri botëror, që duke pasur parasysh armët që janë sot të disponueshme, mund të degjenerojë lehtësisht në një luftë bërthamore me pasoja katastrofike që mund t’i imagjinojmë lehtësisht.

Një konflikt ndoshta edhe mund të nisë, dhe për disa vite të kufizohet në një përplasje indirekte, pra përmes luftërave lokale me palë të treta të kontraktuara dhe ushtritë e vendeve të tjera në zonat e konsideruara strategjike nga të dyja fuqitë.

Konflikte të këtij lloji, që i shohim sot në Siri, Ukrainë dhe Libi, mund të zgjasin me vite të tëra, duke e ngrirë për një fare kohe konfrontimin e drejtpërdrejtë midis dy kryeqyteteve. Kjo, derisa njëra nga të dyja ta gjykojë atë të mjaftueshëm për imazhin e vet.

Një skenar i tillë, do të nënkuptonte një rritje të paqëndrueshmërisë në përgjithësi. Por konfliktet mund të përhapen në zonat fqinje, duke u bërë më vonë një konfrontim i drejtpërdrejtë. Dhe duke pasur parasysh forcën aktuale ushtarake tradicionale të të dyja vendeve, fituesi i mundshëm duket se do jetë SHBA-ja.

Por teknologjitë moderne, cënueshmëria e tyre, dhe përdorimi i metodave hibride të luftës nga njëra prej tyre, mund të bindin tjetrin, ose të dyja në përdorimin e armëve bërthamore.

Lexo edhe :   Borxhet ndaj Kinës çojnë drejt falimentimit Malin e Zi

Hipoteza e dytë, sipas së cilës Uashingtoni mund të vendosë të heqë vullnetarisht dorë nga një pjesë e zonave të tij të ndikimit në favor të Pekinit, duket mjaft e pamundur.

Cilat mund të jenë këto zona? Azia Juglindore? Koreja dhe Japonia? Apo edhe Tajvani? Cilat do të ishin pasojat mbi besueshmërinë e amerikanëve, në rast se ata do të braktisnin aleatët që janë gjithashtu pika e tyre e fortë për të frenuar Kinën? Dhe çfarë garanton se kinezët do të jenë të kënaqur me këtë zgjidhje?

Sigurisht, një zgjidhje e tillë do të çonte në një ulje të mundshme të tensionit në një periudhë afatshkurtër dhe ndoshta afatmesme. Por është e lehtë të imagjinohet se ajo do të zgjasë vetëm për aq kohë sa do t’i duhej Pekinit që të përshtaste forcat dhe teknologjinë e tij për t’u përballur më vonë në pozita disi më të barabarta me Shtetet e Bashkuara.

Hipoteza e tretë është se mund të ketë një ndarje de facto, të pa dakordësuar zyrtarisht, të ndikimit përkatës në zonat e tjera të botës. Në këtë rast, do të kishim ripërsëritje të skenarit që u pa pas Luftës së Dytë Botërore për rreth 50 vjet, ku Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik i kundërviheshin njëra-tjetrës.

Atëherë bota do të ndahej në 2 blloqe me ndoshta një grup të vogël “jo të rreshtuar me ndonjë anë”. Slogani i administratës Bajden, që e sheh konfrontimin me Kinën si një përplasje midis demokracive liberale që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe sistemeve autokratike diktatoriale, duket sikur hipotetizon pikërisht këtë zgjidhje.

Sidoqoftë, është e qartë se nëse ecet në këtë rrugë, Evropa do të duhet të heqë dorë nga loja me të dy pretendentët dhe do të detyrohet të zgjedhë me vendosmëri dhe pa mëdyshje të rreshtohet me aleatin e saj perëndimor.

Hipoteza e fundit, ajo të cilën e urojnë shumë në Shtetet e Bashkuara por pa e thënë hapur,  është shembja e regjimit komunist. Me sa duket dhe sipas mbështetësve të këtij skenari, kjo do të ishte zgjidhja më e mirë pasi zhdukja e pushtetit të Partisë Komuniste në Kinë, do të krijonte mundësinë e lindjes së një demokracie liberale në Kinë.

Por nuk është aspak e sigurt që dobësimi dhe rënia e Partisë Komuniste Kineze do të ndodhë në planin afatshkurtër, hipoteza më optimale. Është e vërtetë:Kina vuan nga dobësi të mëdha të brendshme, të lidhura nga njëra anë me brishtësinë dhe dobësinë e sistemit të saj të brendshëm dhe të jashtëm të kreditit, me flluskën në rritje të borxhit publik dhe privat, dhe me një katastrofë të mundshme sociale dhe demografike.

Por të imagjinosh që drejtuesit e Partisë Komuniste të bien dakord të dorëzojnë pushtetin e tyre pa reaguar, kjo është shumë e vështirë. Përkundrazi, një rritje e paqëndrueshmërisë së brendshme mund ta shtyjë Partinë Komuniste të përpiqet të forcojë konsensusin popullor, duke e vënë akoma më shumë theksin tek nacionalizmi, dhe duke e shtuar agresionin e saj jashtë vendit.

Për më tepër, nëse destabiliteti do të arrinte nivele dramatike deri në përhapjen e përplasjeve të dhunshme në të gjithë vendin, prirja e shumë qytetarëve kinezë do të ishte të emigronin dhe të shpërndaheshin në të gjithë botën.

Meqë nuk po flasim për disa qindra mijë njerëz, por disa dhjetëra miliona refugjatë të mundshëm, pasojat në stabilitetin e brendshëm të vendeve të tjera do të ishin të mëdha. Ndaj pavarësisht se do ta kishin shmangur një luftë të re botërore, të gjithë do ta shihnin veten të detyruar të përballeshin me probleme të një lloji tjetër por po aq të rëndë.

burimi:https://www.linkiesta.it/2021/04/stati-uniti-cina-biden-guerra-fredda/

Përshtatur për Tirana Today